Sërish rënie e shifrave të pandemisë

Pandemia e COVID-19 është ngadalësuar edhe këtë javë në të gjithë botën, duke vazhduar rënien e saj që filloi një muaj e gjysmë më parë.

Më shumë se 400 000 raste ditore

Me 422 400 infektime të regjistruara çdo ditë në botë këtë javë, treguesi ka rënë ndjeshëm (-7 për qind në krahasim me javën e kaluar).

Pandemia, që po fitonte terren në fillim të verës, e ushqyer nga varianti shumë ngjitës Delta, ka rënë që nga fundi i gushtit.

Ulje në shumicën e rajoneve

Këtë javë, shumica e rajoneve të botës kanë parë përmirësim të situatës së tyre epidemiologjike: -32 për qind e rasteve të regjistruara në Afrikë, -20 për qind në Azi, -15 për qind në zonën e Amerikës Latine/Karaibeve, -11 për qind në zonën e SHBA/Kanadasë dhe -10 për qind në Lindjen e Mesme.

Evropa (+ 7 për qind) dhe Oqeania (+ 13 për qind) janë dy zonat e vetme ku situata po përkeqësohet këtë javë.

Përshpejtim më i fortë

Singapori, një nga vendet më të vaksinuara në botë, është ai ku epidemia po përshpejtohet më së shumti (+ 80 për qind, 3 300 raste të reja në ditë), ndër vendet që kanë regjistruar të paktën 1 000 infeksione ditore gjatë javës së kaluar.

Pas tij, përshpejtimet më të forta të javës janë të gjitha në Evropën Lindore, Poloni (+ 59 për qind, 1 400), Letoni (+ 48 për qind, 1 200), Ukrainë (+ 40 për qind, 10 600), Rumani (+ 40 për qind, 12 100) dhe Sllovaki (+ 28 për qind, 1 200).

Vendet e Lindjes së kontinentit të vjetër janë globalisht më pak të vaksinuar, sesa ato të vendosura në Perëndim.

Rëniet më të forta

Anasjelltas, është Japonia (-48 për qind, 1 200 raste të reja në ditë) ajo që regjistroi rënien më të fortë këtë javë, përpara Vietnamit (-42 për qind, 5 200), Marokut (-40 për qind, 700), Bangladeshit (-35 për qind, 700) dhe Afrikës së Jugut (-33 për qind, 1 000).

Infektimet më të mëdha

SHBA-ja mbetet deri tani vendi me numrin më të madh të infeksioneve të reja në terma absolutë këtë javë (100 700 raste të përditshme, -11 për qind), përpara Britanisë së Madhe (34 200, -1 për qind) dhe Turqisë (29 000, + 5 për qind).

Në proporcion me popullsinë, pa mikroshtetet, vendi me më shumë raste të reja këtë javë mbetet Serbia (644 për 100 000 banorë), përpara Mongolisë (463) dhe Rumanisë (440).

Viktimat

SHBA-ja ka numrin më të lartë të vdekjeve ditore, 1 782 në ditë këtë javë, përpara Rusisë (899) dhe Meksikës (517).

Globalisht, vdekjet ditore vazhdojnë të bien (7 185 në ditë, -7 për qind).

Vaksinimi

Vendet që vaksinojnë më shpejt këtë javë janë kryesisht në Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani.

Kuba është në krye këtë javë, me doza të administruara për 1,37 për iqnd të popullsisë së saj çdo ditë.

Më tej, midis vendeve me më shumë se një milion banorë, Zelanda e Re (1,19 për qind), Koreja e Jugut (1,12 për qind), Australia (1,05 për qind), Peruja dhe Vietnami (me nga 1,03 për qind) dhe Tajvani (1,00 për qind).

Deri më sot, vendet më të vaksinuara në botë janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Portugalia, dy vende ku 85 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, përpara Spanjës (78 për qind), Singaporit (77 për qind), Danimarkës dhe Uruguajit (me nga 75 për qind), Irlanda (74 për qind), Belgjika, Kanadaja, Franca dhe Italia ( me nga 73 për qind secila)./ /ervo/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet