Situata nga Covid-19/ Zbrazen spitalet, bie në 6.7% shkalla e infeksionit

Për të dytën ditë radhazi, vetëm 6.7 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Konkretisht, nga 2652 testime të kryera janë raportuar 179 raste të reja. Kurba e infeksionit vijon të pësojë rënie, një tendencë kjo që ka nisur të vërehet që prej gjysmës së dytë të muajit mars, ku ditë pas dite shifrat e të infektuarve kanë pësuar rënie.

Kjo është reflektuar edhe në numrin e përgjithshëm të të infektuarve aktivë, që ka zbritur në 26,370 persona.

SHTRIMET:

Situatë e qëndrueshme paraqitet edhe në spitalet COVID. Sipas Ministrisë, aktualisht në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 182 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar.

Rënia e shtrimeve ka bërë që të zbrazet edhe spitali COVID-4, një fakt ky që u vu në dukje dje edhe nga ministrja Manastirliu gjatë një vizite në Spitalin Infektiv në kryeqytet.

“Aktualisht, spitali Covid-4 është zbrazur, për arsye se ka rënë numri i pacientëve që trajtohen për këtë sëmundje. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që spitali nuk është në gatishmëri, pasi, në momentin që mund të kemi një shtim të numrit të rasteve, gjithmonë kjo strukturë do të jetë aktive, ashtu sikurse ka qenë që në momentet e para.

Nga ana tjetër, numri i pacientëve që trajtohen në Spitalin Infektiv apo Covid-1, por edhe në spitalin Covid 3 ka pësuar një rënie të qëndrueshme.

Ashtu sikurse ka pasur një rënie të qëndrueshme edhe për sa i përket numrit të fataliteteve mbi baza ditore. Kjo tregon që jemi në një situatë të kontrolluar të epidemisë. Por është shumë e rëndësishme të mos ulet vigjilenca”, tha Manastirliu.

Lidhur me fatalitetet, të premten janë raportuar 2 humbje jete si pasojë e koronavirusit.

VAKSINIMI

Duke folur për fushatën e vaksinimit ndaj COVID-19, ministrja tha se grupet më të riskuara dhe popullata mbi 60 vjeç, do të vaksinohen brenda muajit maj.

“Mendojmë që mund t’ia arrijmë dhe më shpejt, por jemi të vendosur që brenda muajit maj të arrijmë objektivin e 500 mijë vaksinimeve për të gjithë ato grupe të riskuara dhe popullatën +60. Dhe më pas të vijojmë për të vaksinuar sa më shumë, për të mbrojtur jetë”.

Statistika (16 Prill 2021)

Raste të reja ditore 179

Të shëruar në 24 orë 587

Të shtruar në spitale 182

Humbje jete në 24 orë 2

Testime ditore 2652

Testime totale 602,322

Raste pozitive 129,307

Raste të shëruara 100,600

Raste Aktive 26,370

Humbje jete 2,337 /Panorama/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet