Turqia heq orën policore nga 1 korriku

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi sot heqjen më 1 korrik të orës policore dhe të shtetrrethimit të aplikuar të dielën, pasi vendi ka regjistruar një numër në ulje të rasteve me COVID-19 dhe duke përshpejtuar fushatën e vaksinimit. “Duke filluar nga 1 korriku, kufizimet e daljes do të hiqen plotësisht”, deklaroi presidenti turk në një fjalim televiziv. Erdogan theksoi gjithashtu se sallat e koncerteve dhe vendet e tjera ku luhet muzikë do të duhet të mbyllen para mesnatës, pasi sipas tij, askush nuk ka të drejtë të rrezikojë jetën e të tjerëve. Kufizimet e vendosura përballë pandemisë u lehtësuan më 1 qershor, kur restorantet dhe kafenetë u lejuan përsëri të prisnin klientë. Por një shtetrrethim ishte ende në fuqi duke nisur nga ora 22:00 dhe gjatë gjithë ditës së dielë. Turqia regjistroi sot rreth 5 200 raste të reja me COVID-19 dhe 51 të vdekur, pasi arriti kulmet me më shumë se 60 000 raste në fillim të prillit. Ky vend, i cili numëron 83 milionë banorë, ka përshpejtuar javët e fundit fushatën kombëtare të vaksinimit me vaksinat e BioNTech-Pfizer dhe gjithashtu me ato të CoronaVac.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet