Nuk fitoi dot çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, reagon për herë të parë Alban Ramosaj

Këngëtari Alban Ramosaj ishte pretendent për të fituar çmimin e parë në Festivalin e RTSHsë me këngën "Theje". Por çmimi i parë iu “rrëmbye” nga konkurrentja, Ronela Hajati, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision me “Sekret”. Këngëtari reagoi për herë të parë në një postim në rrjetet sociale ku shprehu mirënjohjen për dashamirësit e tij që e mbështetën dhe përkrahën përgjatë rrugëtimit në Festivalin e Këngës. Alban Ramosaj iu premtoi se do “vazhdojë të shkruajë e të kompozojë art të cilësisë së lartë, që do ju prekë zemrat dhe do ju stimulojë mendjet”. Ndërsa jo-dashamirësve, ai iu drejtua: “Lëreni ndonjë fjalë pa thënë”, ndërsa u shpreh se “për 2022 duhet të bëhen gati pasi ka përveshur mëngët”, duke nënkuptuar se po punon për sjelljen e projekteve të reja. Në postimin me falënderime, Alban Ramosaj përfshiu nënë e tij, Antigona Ramosaj, dhe motrën, Beatrix Ramosaj. “O ma, fitova! Fitova dashni, duartrokitje, eksperience, mësime, miq te rinj dhe respekt”, shkroi artisti, teksa e falënderoi mamanë e tij për sakrificën e bërë për të. Ndërsa u drejtua të motrës, e cila ndodhet brenda shtëpisë së Big Brother Vip: “Kur ta lexosh, dua ta dish që bëra më të mirën time”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet