Bashkia Tiranë, aktivitete festive për Ditën e Verës

Dita e Verës do të jetë një festë e vërtetë në kryeqytet. Sikurse e ka kthyer tashmë në një traditë të bukur, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të gjithë grupmoshat duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek të rriturit. Në orën 10:00 - 13:00 në skenën tek Kryeministria do të ngjiten artistë të të gjithë zhanreve muzikorë, duke filluar nga Ansambli popullor, Filarmonia, Artistë dhe grupe të rinj, por edhe artistë të afirmuar. Skena do të elektrizohet nga Urban Band dhe do të kulmojë me këngëtaren e njohur. Juliana Pasha. Ndërkaq për të apasionuarit e muzikës klasike, Filarmonia e Tiranës do të performojë tek pedonalja “Murat Toptani”.

Sheshi “Skënderbej” do të kthehet në një ambient argëtues ku do të ketë një ekspozitë të madhe nga koleksioni i makinave RETRO së bashku me automjete dhe moto të tjera epoke. Të apasionuarit pas automjeteve do të kenë mundësi të shikojnë nga afër koleksionin më të madh të makinave historike, makinave sportive dhe motorëve në një ambient festiv dhe me muzikë të zgjedhur.

Ndërkohë, nga 10:00 - 14:00, përpara bashkisë do të improvizohet një hapësirë e dedikuar për më të vegjlit. Në këtë hapësirë fëmijët me shembuj praktik do të kenë mundësi të bëhen pjesë e #Akademisë të #Sigurisë #Rrugore duke pasur mundësi të praktikohen, orientohen, mësohen me shenjat dhe sinjalistikën rrugore në funksion të Kujdesit dhe Sigurisë.

Kurse hapësira në sheshin përballë ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, do t’i dedikohet patinimit, skateboardit edhe Bmx-it. Ndërsa Parku Rinia do të pushtohet nga nxënësit e 4 shkollave 9-vjeçare. Nxënësit e shkollave “F.S.Noli”, “Hasan Tahsim”, “Servete Maçi” dhe “Shkolla e Kuqe” do të garojnë në tërheqje litari, loja me karrige, loja e kangurit me thasë, mundje dore, kaluçi me stafetë etj.

Ndërkaq, bulevardi para Galerisë Kombëtare do të shndërrohet totalisht, ku do të improvizohen fusha tenisi, basketbolli, Ping-Pongu, Taekëondo, Teqballi dhe Minikalçetoje. Gjithashtu i gjithë parku do të kthehet në një hapësirë për më të vegjlit. Animatorë, Cirku, Teatri i Kukullave do të performojnë shfaqet e tyre. Fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqe te ndryshme, face painting dhe shumë aktivitete të tjera.

Biznesi dhe Panairi: Një vëmendje e veçantë në 14 mars i është kushtuar dhe biznesit dhe panairit të produkteve të zonës. Kështu, hapësira në Bulevardin para Piramidës në të dy anët e saj do të ketë të pozicionuara stenda Biznesi dhe Stenda për Startup që do të shërbejnë për promovimin e produkteve. Pjesëmarrësit do te kenë mundësi të konsumojnë produkte dhe të kalojnë momente relaksi me të dashurit e tyre. Të gjithë të apasionuarit e Librave do të kenë mundësi të gjejnë librat dhe autorët e preferuar në një Panair Libri. Ndërkaq, përballë ish-Hotel Dajtit, nga ora 08:00-16:00 do të organizohet Panairi i Njësive Administrative. Ky Panair përfshin disa lloj prodhuesish te vegjël nga qyteti dhe rrethinat e Tiranës, si artizanë dhe prodhues vendas të zonës .

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet