Hotelet dhe agjencitë e udhëtimit me rritjen më të madhe të shitjeve

Hotelet dhe agjencitë e udhëtimit kishin rritjen vjetore më të lartë të shitjeve, punësimit dhe pagave në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas. Kjo për faktin se këto sektorë kishin goditjen më të fortë gjatë vitit 2020 si pasojë e kufizimit të lëvizjes përgjatë pandemisë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi rritje të treguesve tremujorë të pagave, punësimit dhe shitjeve.

Sipas INSTAT, indekset e treguesve në aktivitetin “hotele”, në tremujorin e tretë të vitit 2021 shitjet neto në volum shënuan rritje me rreth 2,2 herë, ndërsa numri i të punësuarve shënoi rritje 36,6 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020. Po ashtu, indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 61,4 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020.

Edhe në agjencitë e udhëtimit treguesit janë pozitivë.

Sipas të dhënave, shitjet neto në volum shënuan rritje me rreth 2,1 herë, krahasuar me tremujorin e tretë 2020, numri i të punësuarve shënoi rritje 10,9 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 14,4 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet