South Outdoor Festival, aktivitete kushtuar fëmijëve me aftësi speciale

“Së bashku për më shumë gjithëpërfshirje”, ishe motoja e aktivitetit të radhës të organizuar në kuadër të eventit South Outdoor Festival, që po mbahet në fshatin turistik Borsh, në jug të vendit. Në fundjavë ky aktivitet ka mbledhur së bashku fëmijë me aftësi të kufizuara, prindër, asistentë personalë dhe mësues, si edhe shumë përkrahës të tjerë, në aktivitetet sportive të organizuara në kuadër të “South Outdoor Festival”, si një mënyrë për të promovuar mirëqenien e tyre përmes sportit dhe përfshirjes sociale.

Rreth 30 fëmijë atletë me aftësi të kufizuara intelektuale shijuan për tre ditë aktivitetet sportive dhe argëtuese, dhe diskutimet në grup, në një kamp në natyrë të hapur, si pjesë e aktiviteteve të projektit “Përfshirja përmes pjesëmarrjes aktive – Kampionët e përfshirjes” që zbatohet nga Special Olympic Albania me mbështetje edhe nga UNDP, në kuadër të programit ’Askush të mos mbetet pas/Leave No One Behind’. Ky projekt synon të promovojë përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara, të promovojë diversitetin dhe kohezionin midis personave me dhe pa aftësi të kufizuara përmes ndërveprimit në aktivitete argëtuese, t’u japë personave me aftësi të kufizuara intelektuale sa më shumë akses në aktivitete fizike dhe sporte, për më shumë mirëqenie një stil jetese të shëndetshme nëpërmjet sportit. Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara “Askush të mos mbetet pas/Leave No One Behind (LNB2)” financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Nje nga objektivat kryesore të tij është avancimi i përfshirjes sociale në Shqipëri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet