Ambasada Shqiptare në Pekin, feston 28 nëntorin në mënyrë 'sekrete'. Shqiptarët sërisht lihen jashtë derës

Flamuri kombëtar i Shqipërisë për Ambasadën Shqiptare në Pekin, është ngritur zyrtarisht më 3 dhjetor dhe jo më 28 nëntor. Nuk dihen arsyet e celebrimit të festës kombëtare nga ambasada në datën 3 dhjetor, por ajo që dihet është se “zhvillimi i takimit festiv është mbajtur sekret”. A thua se “zhvillimi i festës kombëtare nga ana e ambasadës në Pekin është sekret shtetëror”.

Ftohen bizenesmenë dhe sëra e lartë

Por jo vetëm kaq. Plani për zhvillimin e “festës kombëtare në këtë mënyrë”, duket se është krijuar disa kohë më parë dhe me imtësi. Siç duket, janë “piketuar” ata që do të ishin të ftuar nga ku pjesa më e madhe janë biznesmenë, drejtues kompanish, punonjës, sipërmarrës ose persona që kanë lidhje të mirë me biznesin kinez ose shqiptar në Kinë. Pra, këtë vit janë ftuar ata që “e kanë hapur qesen” ose kanë ndihmuar financiarisht për zhvillimin e takimit festiv. Jo më kot ishte përzgjedhur për t’u festuar në njërën nga sallat e njërit prej hoteleve më luksozë në zemër të Pekinit.

Shqiptarët sërisht jashtë derës

Që pas marrjes së postit të ambasadorit, Selim Belortaja me stafin e tij çdo vit kanë zhvilluar takim festiv me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë, por jashtë derës janë lënë shqiptarët që jetojnë në Pekin, “mbase nuk janë sërë e lartë për të qenë të denjë të jenë pjesmarrës”. Ftesat direkte, me telefon, mesazhe, e-maile ose mënyra të tjera për të marrë pjesë, si gjithnjë bëhen të përzgjedhura për ata që kanë njohje personalisht me ambasadorin ose punonjësit e ambasadës.

Ajo që të duhet thënë publikisht është fakti se disa ditë para zhvillimit të festës nga shqiptarët në Pekin më 28 nëntor, u është bërë ftesë punonjësve të ambasadës për të marrë pjesë në festim, por “përgjigja e tyre ka qenë negative”, duke mos dhënë asnjë justifikim zyrtar “siç u takon ta japin për shkak të pozicionit që kanë”. Kaq shumë nuk i durojnë dot bashkëkombasit e tyre xhanëm që të paktën një herë në vit të mos i heqin nga lista e festimeve?!

Festa kombëtare mbahet sekret

Nëse do të hapësh faqen zyrtare të ambasadës në rrjetin Facebook, faqen zyrtare të vetë ambasadorit apo dhe stafit të ambasadës, nuk gjen asnjë foto nga takimi dhe asnjë rrjesht për njoftimin para zhvillimit të takimit festiv apo edhe pas festës. Ky veprim ngre në diskutim disa pyetje “se mos vallë festa kombëtare është sekret? Pse nuk ftohen shqiptarët që të marrin pjesë në festën e tyre nga ambasada? Mbi ç’bazë ligjore ambasada bën ç’të dojë me festën kombëtare dhe që më pas e mban sekret zhvillimin e saj? Nga se ka frikë ambasadori dhe stafi i ambasadës që e mbajnë sekret festimin?

Dhe kjo nuk është hera e parë. Vitin e kaluar, institucioni i ambasadës shkeli me të dyja këmbët ligjin dhe urdhërin e dhënë nga Ministria e Jashtme dhe qeveria e vendit që përfaqëson. Për shkak të tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria shqiptare urdhëroi të gjitha institucionet zyrtare si dhe përfaqësitë diplomatike në botë të ulin flamurin në gjysmë shtizë dhe të mos zhvillojnë asnjë aktivitet festiv për festën kombëtare. Ambasada Shqiptare në Pekin, jo vetëm që e shkeli këtë urdhër, por e zhvilloi takimin festiv sikur të mos kishte ndodhur asgjë në Shqipëri.

Dhe jo vetëm kaq. Asnjë fotografi dhe asnjë informacion “zyrtar ose jozyrtar” nuk është botuar në rrjetet sociale për aktivitetin e vjetshëm, ndryshe nga vitet e tjera ku nuk është lënë asgjë pa u thënë. Çfarë të zezash fshihen pas këtyre që nuk i duan shqiptarët brenda dhe takimet sekrete? Përgjigjet i dinë vetëm ata “të ambasadës”.

Author

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Bledi  e Shtunë 5 Dhjetor, 2020

    Skandal. Po mesa kam dëgjuar, kjo nuk është hera e parë që Ambasada Shqiptare në Pekin i le jashtë derës shqiptarët. I paska marrë muti edhe diplomatët në Pekin.