BRITANIA DOLI NGA BE. PO ANGLISHTJA?

Nga Visar SYLAJ

Kanë kaluar vetëm pak ditë nga nënshkrimi i marrëveshjes tregtare mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian dhe është kthyer përsëri në mediat britanike dilema e gjuhës angleze. Duke iu referuar korrespondentit për çështjet evropiane dhe skoceze Udo Seiwert-Fauti, gazeta skoceze The National dhe gazeta angleze The New European shkruajnë se, “anglishtja mund të hiqet si një gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian pas marrëveshjes tregtare të Brexit”.

Sipas Udo Seiwert-Fauti, “anglishtja do të jetë vetëm një gjuhë komunikimi brenda BE-së, por nuk do të përdoret më si një gjuhë zyrtare”. Por ai shton se, “anglishtja dhe frëngjishtja do të vijojnë të jenë gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës, pasi Britania vazhdon të jetë një shtet anëtar në Këshillin e Evropës dhe në fillim të janarit do të paguajë rreth 20 milion euro në buxhetin e saj”.

Ideja e humbjes së statusit të gjuhës zyrtare dhe nënvlerësimit të anglishtes pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk është e re. Më herët në vitin 2016, kur Britanikët votuan me referendum për të dalë nga Bashkimi Evropian, Danuta Hübner, kryetare e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese në Parlamentin Europian, është shprehur se, “anglishtja mund të mos të jetë më një gjuhë zyrtare pasi Britania e Madhe të dalë nga BE-ja”. Gjithashtu, ajo ka nënvizuar se, “nëse ne nuk do të kemi Britaninë e Madhe, ne nuk do të kemi as anglishten”.

Por lajmi se anglishtja do të humbë statusin e saj në BE u përgënjeshtrua nga Euronews. Me anë të një deklarate për Euronews, zëdhënësi i Komisionit Evropian për negociatat BE-BM e mohoi një gjë të tillë dhe informoi se, “anglishtja do të mbetet gjuhë zyrtare”. Ai solli gjithashtu në vëmendje faktin se, “edhe pas tërheqjes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, anglishtja mbetet një nga gjuhët zyrtare të Irlandës dhe Maltës”.

Anglishtja është një gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1973. Ajo nuk ka gjasa të humbasë statusin e saj si gjuhë zyrtare e BE-së, pasi ky process do të kërkonte një votim unanim të të gjithë shteteve anëtare për të ndryshuar politikat e gjuhës së Bashkimit Evropian.

Një tjetër arsye është se nuk ka asnjë alternativë tjetër, pasi shtetet anëtare të BE-së, në tërësi, nuk flasin të gjithë të njëjtat gjuhë të tjera “të mëdha”, si frëngjishtja ose gjermanishtja. Edhe nëse ndonjë nga shtetet anëtare do të kërkonte rritjen e influencës dhe prestigjit të gjuhës së tyre kombëtare, nuk ka asnjë dyshim që ajo nuk do të nënvlerësonte rolin e anglishtes brenda BE-së. Përkundrazi, pikërisht për shkak të Brexit anglishtja mund të forcohet edhe më shumë si gjuha kryesore e BE-së, pasi ajo perceptohet si një gjuhë “neutrale”, duke ruajtur kështu balancën mes shteteve anëtare dhe në veçanti mes Francës dhe Gjermanisë.

Sipas Dr.Shk. Marko Modiano nga Universiteti Gavle në Suedi, i intervistuar nga britanikja The Independent, “Brexit mund të çojë në krijimin e një forme të re të gjuhës angleze”. Ai thekson se tashmë ka shenja që kjo formë e veçantë e“Euro-English”është duke u krijuar dhe se do të jetë e pavarur nga karakteristikat e anglishtes së Britanisë së Madhe, anglishtes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anglishtes së Australisë etj. Gjithashtu, BE-ja do të mund të zgjedhë e lirë mes formave të këtyre shteteve dhe të përshtasë anglishten evropiane me politikëbërjen dhe terminologjinë e specializuar të saj.

Brexit do të ketë një impakt shumë të paparashikushëm në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, por, për sa i përket gjuhës angleze, ajo do të ketë pasoja të pakta në politikën gjuhësore të shumëgjuhëshmërisë së BE-së. Madje, me kalimin e kohës, anglishtja evropiane mund të kthehet në një “Lingua Franca” të veçantë nga shtetet ku anglishtja flitet si gjuhë amëtare dhe do të japë një zhvillim të mëtejshëm lidhjes mes shteteve anëtare.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet