Rama: Mbështetje për familjet që janë në ndihmë ekonomike

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria po studion rimbursimin e recetës bazë për të infektuarit me COVID-19.

“Ne jemi duke studiuar rimbursimin e recetës bazë. Sepse ajo është baza, të tjerat pastaj i merr në spital, aty i ofron të gjitha shërbimi shëndetësor, kuptohet, pa pagesë”.

Ndërkohë, theksoi ai, “jemi duke menduar për një mbështetje për familjet që janë në ndihmë ekonomike. Jo për recetën, por për të gjithë familjet që janë në ndihmë ekonomike, sepse ata janë më vulnerabël dhe nëse duam që t’i ndihmojmë dhe të mos jenë në kontakte të vazhdueshme të detyruara, sepse një pjesë punojnë në të zezë etj., atëherë duam që t’u japim këtë mbështetje. Dhe kjo është diçka që jemi duke e formuluar”.

“Dhe kjo është diçka brenda planit prapë, brenda strategjisë. Sepse edhe plani nga pikëpamja financiare për këtë rezistencë është bërë i shtrirë në kohë. Domethënë plani ynë me të gjithë skenarët është i shtrirë në kohë, shkon deri në dhjetorin e vitit të ardhshëm si kohë”, tha Rama.

Pyetjes se përse nuk ndërpret PPP-të e mjekësisë apo për inceneratorët në këtë situatë, Rama u shpreh se, “ne jemi angazhuar me një subjekt privat për të sjellë instrumenta mjekësorë të teknologjisë të prodhimit të fundit nga Gjermania dhe e kemi ulur më shumë se përgjysëm numrin e infeksioneve postoperatore që shkaktoheshin nga instrumenta mjekësore të pasterilizuar të kohës së miqësisë shqiptaro-kineze. Dhe për këto sigurisht që shteti paguan çdo vit deri sa të lajë investimin që ka bërë privati, por nuk paguan qytetari. Ne nuk u themi qytetarëve, nuk u themi nënave kur shkojnë në maternitet që, ‘shiko do lindësh fëmijën po kemi këto instrumentat e reja dhe do paguash faturë’. Jo, të gjitha janë falas. Kjo është shëndetësia falas që paguan shteti për qytetarin, por jo që vjen e falur nga qielli”.

“E dyta, për ata me dializë. Profesori thotë ndërpriteni. Këto janë PPP-të. Është dializa, janë instrumentat mjekësorë, janë dhe laboratorët që ende është në proces”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi Rama, “check-up-i është ndërprerë dhe sot drejtori i OBSH e ka rithënë atë që OBSH e ka thënë prej kohësh që është një nga politikat më të mira në shëndetësinë publike bërja e check-up-it falas për popullatën. Por ai është ndërprerë, jo për shkak të parave me thënë të drejtën, se do ishte mirë të vazhdonte kontrolli, por për shkak se flukset për kontrollin duheshin shmangur”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet