''Vdekja'' na bën më të mirë - nga Doriana METOLLARI

"Frika" është një argument që në pjesën më të mirë të rasteve e ndeshim tek vizitat psikolog-pacient, jo nëpër tavolina. Njerëzit zor se i shkojnë problemit deri në fund për të kuptuar thelbin dhe në pjesën më të mirë të rasteve e paragjykojnë. Eshtë më kollaj të paragjykosh, vec në mos pac përballë një psikolog ose një njeri aq të mencur sa dhe të ndjeshëm që mund të të këshillojë sic duhet. Unë njoh njerëz që kanë frikë të jetojnë, për arsye të ndryshme, apo të tjerë që janë bërë kaq shumë maniakë të pastrimit e suplementeve sa nuk lënë vitamina pa marrë e dizinfektant pa patur në cantë, për të larguar COVIDin. Gjithsesi për shumëkënd kjo është një frikë që po largohet. Në disa media lexova se edhe në shkallë globale rastet e prekura nga COVID janë drejt rënies. Por si i thonë fjalës, nga shiu në breshër me këtë krizën energjitike.

Më kujtohet njëherë kur po kthehesha në Itali, me avion. Ishte Dhjetor dhe gjatë ngritjes e uljes pat shumë turbulenca. Më kujtohet një moment kur me të vertetë druhesha se ai avion nuk do ta përballonte. Por në vend që të ulja kokën, e ngrita për të parë rreth e rrotull meje. Nuk mu desh shumë të kuptoja se të gjithë ishin në po të njëjtin siklet, dhe kjo e fiku hallin im disi. Të gjithë njerëzit kanë frikë, në mos nga avioni që është dicka reale dhe objektive, shumëkush ka komplekse të brendshme që i shkaktojnë frikë nga jashtë.

Besoj se shumë shpesh fakti i të pasurit frikë lidhet me frikën për të ndryshuar veten, ose jetën tonë. Pra, jo për një rrezik të vërtetë të jashtëm, por të brendshëm. Ne kemi frikë tI lëmë zakonet tona, zonën tonë të rehatisë, idetë tona, modelet tona dhe pikërisht për këtë kemi frikë të jetojmë deri në fund, pra të transformohemi. Duhet ta lëmë veten të na marrë rrjedha herë pas here dhe të fillojmë në etapa të caktuara të jetës, një kapitull të ri.

Prandaj them se është e nevojshme ta ndryshojmë veten tonë duke bërë përpjekje të brendshme, dhe mbi të gjitha duke mos u krahasuar me të tjerët. Shumë e shohin si një garë me botën, une e shoh si një garë me vetveten. Natura jonë është e jona dhe në jemi unik. Kufizohemi nga ide apo koncepte të gabuara që na mbajnë të lidhur ngushtë më të kaluarën, apo një stil jetë, a mënyrë të qëni që nuk na identifikon se kush jemi me të vërtetë ne. Kjo na bën që të vazhdojmë të ecim ne po të njëjtën rrugë, që nuk është e jona.

Prandaj është e nevojshme të ndalim dhe të identifikojmë frikën, për ta parë në sy. Kur kemi shumë pyetje dhe jeta bëhet e vështirë, është koha të marrim takim me një psikolog të mirë, për disa seanca. Të kesh frikë, apo të jesh në mëdyshje për të marrë vendime është krejt normale. Cështja është si ta përpunojmë dhe si t'ia dalim? Frika të paralizon aq sa ti kurrë nuk mund të rritesh, qoftë për shkak të njerëzve që ke afër, ose ata që të rrethojnë "miqësisht". Ka miq që i njeh një jetë dhe me ta mund të mos rritesh kurrë, por ka dhe rastësi që duhet ti kapësh 'al volo'.

Nëse do të filloni të jeni pak më të përqëndruar në atë që ndodh brenda jush, në përballje më rrethin jashtë, mund t'ia dilni mrekullisht. Sigurisht energjitë tuaja duhet ti përqëndrimi tek mendimet negative që ju vijnë në momente të caktuara. Aty fillon ndryshimi dhe vendimet më të mira merren aty. Gjatë kësaj rruge me siguri do të gjeni njerëz që ju ndihmojnë në këto mekanizma, por instinkti juaj është shumë i vlefshëm në këto raste, mjafton ti besoni. Ndihmën e marrim rastësisht edhe nga një film, apo një poezi, a libër. Nëse ka lidhje me situatën tënde ndalo, dhe kuptoje më mirë. Thjesht kini durim gjatë rrugës dhe mbani sytë katër. Askush nuk vdes nga frika, mund të dridhemi, të strukemi, por kjo është një "vdekje" nëpër të cilën kalojnë thuajse të gjithë, dhe na bën më të mirë nëse ia dalim. Ajo cfarë ka rëndësi është që të kalojmë përmes saj dhe tia dalim.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet