13 anëtarë të Kryesisë së PD në Korçë japin dorëheqjen: Basha po e kthen partinë në forcë klienteliste

13 anëtarë të Kryesisë së degës së PD në Korçë, sekretari i kësaj dege, Devis Osmani si edhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Andrea Mano kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre, pasi janë të pakënaqur me mënyrën sesi Lulzim Basha po drejton këtë forcë.

Në letrën e dorëheqjes, ata e akuzojnë Lulzim Bashën se me arrogancë po e kthen partinë në forcë klienteliste dhe në funksion vetëm të interesave të tij personale.

“Gjykojmë se kryetari i PD me arrogancën e tij po e kthen PD në një parti klienteliste dhe në funksion vetëm të interesave personale. Me veprimet apo mosveprimet e tij, ka hedhur poshtë të gjithë punën tonë të ngritur me mund dhe sakrifica gjatë 8 viteve opozitë. Gjithashtu me këtë mënyrë drejtimi, mendojmë se PD po mbahet qëllimisht e frenuar prej tij, për të luftuar keqqeverisjen e Edi Ramës. Të ndodhur në këto kushte, e gjejmë të pamundur ushtrimin e funksioneve tona dhe të shohim me optimizëm drejt të ardhmes së kësaj partie. Theksojmë se jemi dhe mbetemi anëtarë të PD dhe mbështetës të ideve dhe vlerave që ajo mbart që nga dita e krijimit të saj”, thuhet në letrën e firmosur prej tyre.

“Gjykoj se lidershipi aktual po tenton me arrogancën e tij ta kthejë PD në një parti klienteliste dhe në funksion vetëm të interesave personale. Me veprimet apo mosveprimet e tij, mendoj se Kryetari i PD ka hedhur poshtë të gjithë mundin dhe sakrificat tona në opozitën më të vështirë në historinë e PD-së”, thekson Devis Osmani sekretari i PD-së Korçë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet