Akuza e Bashës për fshehje të numrit të viktimave nga COVID/ Rama: Është shkuar përtej çdo caku

Kryeministri Edi Rama reagoi sot “për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre”.

Rama theksoi se do t’u drejtohet nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, “sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjesht për llafet e një aktori të papërgjegjshëm”.

“Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani”, tha Rama.

Një ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se qeveria nuk e tregon numrin real të viktimave që kanë humbur jetën nga COVID-19 dhe fsheh vdekjet nga infeksioni.

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo i konsideroi sot këto akuza si një goditje të rëndë të profesionalizmit të mjekëve dhe përpjekjeve të tyre për 9 muaj me radhë në luftën me COVID-19.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet