Balla: Së shpejti, fluturime direkte Tiranë-Bukuresht

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla informoi sot, se shumë shpejt do të vendosen fluturime direkte Tiranë-Bukuresht, gjë që do të nxisë turistët nga Rumania të vizitojnë vendin tonë.

Pas takimit me delegacionin e Senatit të Rumanisë, të kryesuar nga Senatori Titus Corlățean, Kryetar i Komitetit të Politikës së Jashtme në Senatin e Rumanisë, Balla theksoi rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Balla shprehu veçanërisht mirënjohjen për mbështetjen që Rumania i jep procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Ne kemi memorandum bashkëpunimi mes parlamenteve tona në dobi të marrjes së eksperiencës rumune në këtë proces, apo edhe për forcimin e kapaciteteve lidhur me ndërtimin e projekteve për të aplikuar në BE. Shqipëria duhet të jetë gati të përfitojë nga procesi i anëtarësimit”, shtoi Balla.

Po ashtu, Balla theksoi se Rumania gëzon në Shqipëri të drejtën e pronësisë së një shtëpie.

“Në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të shumicës i bashkohem kërkesës që ta përmbyllim procesin e rikthimit të saj tek qeveria rumune, duke qenë se pala rumune ka rënë dakord që kjo të kthehet në Shtëpi të Evropës në Sarandë”, tha ai.

Balla falënderoi Rumaninë për mbështetjen e pakufishme ndaj Shqipërisë, ndërsa solli në vëmendje se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe rol këtu luan edhe komuniteti arumun në Shqipëri.

Nga ana e tij, senatori Titus Corlățean tha se “vizita është shumë e rëndësishme sepse ne i japim një mbështetje të fortë integrimit të Shqipërisë në BE”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet