Bardhi: U legalizuan banesa në këmbim të votave

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar sot PS-në se ka përdorur legalizimet në këmbim të votave. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Bardhi tha se administrata publike u vu në funksion të PS për blere votash. Ai publikoi edhe disa biseda në rrjetin social Whatsapp, që sipas tij faktojnë skemën e blerjes së votave, duke legalizuar banesa në këmbim të votave. “Ato janë vënë në dispozicion të Prokurorisë prej datës 12 Prill dhe ajo deri në këtë moment nuk ka vepruar. Kjo që shikoni në ekran është grupi i whatsapp i hapur me urdhër të Belinda Ballukut dhe drejtuar nga Këshilltarja e saj në Kabinetin e Ministrit Laureta Omeri. Përmes këtij personi, Belinda Balluku ekzekuton skemën e blerjes së votave, duke legalizuar banesa në këmbim të votave. Kjo bisedë në whatsapp fakton se për më shumë se 1 muaj administrate publike është vënë në funksion të blerjes së zgjedhjeve. Provat tregojnë se si PS jep leje legalizimi në këmbim të votës”, deklaron Bardhi. Ai tha se “PD ka bërë kallëzim kundër ministres Balluku dhe stafit të saj për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal që prej datës 12 prill 2021”. “Prokuroria nuk ka bërë asgjë as për ta ndalur, as për ta parandaluar dhe as për ta ndëshkuar këtë skemë të pastër kriminale të blerjes së votës në këmbim të legalizimit të banesës. Deklaratat sa për të larë gojën se prokurorët duhet të hetojnë krimet zgjedhore nuk mjaftojnë. Sot Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i SPAK kanë përpara tyre një krim të dyfishtë, atë të vjedhjes së zgjedhjeve dhe atë të mosveprimit të organit të prokurorisë për të parandaluar e ndëshkuar krimet zgjedhore të provuara. Ky rast flagrant është një provë sesa të përkushtuar janë vërtetë këto organe për të përmbushur detyrën e tyre, siç pret opinion publik shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Një gjë është e sigurtë. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin e madh që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, që ta rrëzojmë regjimin Rama-Doshi”, deklaroi Bardhi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet