Bashkëpunimi ekonomik me Arabinë Saudite, Rama: Së shpejti mbledhim Komitetin e Përbashkët

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria dhe Arabia Saudite janë në kushtet kur realisht mund të shohin me optimizëm mbi mundësitë e investimeve, rritjen e volumit tregtar mes dy vendeve dhe bashkëpunimin ekonomik në tërësi”. Kryeministri Rama priti sot në një takim në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princin Faisal Bin Farhan Al Saud, ndërkohë që pas takimit dhanë edhe një deklaratë për mediet. Rama tha se vizita është në kuadër të rivendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta dhe për të ristartuar një proces bashkëpunimi të thelluar, për të cilin kemi vendosur piketat më parë gjatë vizitës time në Riad dhe në takimin me Princin e Kurorës.

Kryeministri informoi se në takim u ra dakord për të mbledhur sa më parë Komitetin e Përbashkët që u mblodh në vitin 2019, por u bllokua për shkak të pandemisë, pikërisht për të adresuar prioritetet në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri vlerësoi po ashtu edhe nismën madhështore të Arabisë Saudite për rritjen e përmasës së gjelbër të gjithë Lindjes së Mesme dhe për një kontribut edhe në shkallë globale përmes projektit të mbjelljes së 50 miliardë pemëve.

Në përfundim, Kryeministri falënderoi Ministrin e Jashtëm edhe për angazhimin e tij për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme rritjes së komunikimit mes kompanive dhe për të krijuar një hapësirë ndërveprimi në sektorin privat në funksion të interesave të ndërsjella për të rritur investimet dhe volumin tregtar mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite”, tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet