Dekada për ta ngjitur lart Shqipërinë bashkë me të tjerët. Do ta mbajmë shtrirë dorën e bashkëpunimit me PDnë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne do ta mbajmë shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën dhe nuk do lëmë rast pa ua kujtuar se për ne kjo është dekada për ta ngjitur lart Shqipërinë bashkë me të tjerët, jo për t’u kacafytur”.

Në një takim me deputetë të PS-së në ambientet e Pallatit të Brigadave, Rama u bëri thirrje që të jenë gati për ta braktisur llogoren e luftës së vjetër politike dhe për ta përçuar këtë frymë dhe qasje të re në gjithë organizmin e PS-së”.

“Mandati i 3-të nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë 2 të parëve në aspektin e marrëdhënieve me PD. Sado të na sulmojnë të na shajnë e të provokojnë, apo sado ta kontestojnë legjitimitetin e padiskutueshëm të fitores tonë nga mosgëlltitja kronike e humbjes së tyre të qartë dhe të thellë. Shqipëria na ka dhënë besimin e madh dhe mbështetjen e plotë për të udhëhequr dhe ne do të udhëheqim pa humbur më kohë dhe energji me politikën bajate dhe banale të akuzave e kundër akuzave të përditshme”, tha Rama.

Kryeministri tha se “kemi plan shumë ambicioz për Shqipërinë dhe do të vendosim forca të tëra në dispozicion të vizionit Shqipëria 2030”.

“Ne nuk kemi marrë një mandat për të luftuar me PD-në, por për të çuar deri në fund punët e mëdha që kemi nisur dhe për të nisur punë të mëdha që duhen çuar deri në fund. Nuk do ta presim PD deri kur të rivendosë lidhjen me realitetin, por jemi gati të bashkëpunojmë me demokratët kurdo qoftë dhe sidoqoftë kjo të jetë e mundur, pa u lodhur, pa humbur durimin. Ne do ta mbajmë shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën dhe nuk do lëmë rast pa ua kujtuar me fjalë dhe pa ua treguar me sjellje dhe me vepra se për ne kjo është dekada për ta ngjitur lart Shqipërinë bashkë me të tjerët, jo për të shtyrë njeri-tjetrin duke u kacafytur në mesin e një rruge ku duhet të ecë sa më shpejt vendi. Akuzave të tyre do t’i përgjigjemi me rezultatet e punës; sharjeve të tyre me idetë tona për t’i çuar punët para; kritikave me mendje hapur dhe me gatishmërinë për bashkëpunim”, tha Rama.

Kjo, tha ai, “nuk do të thotë se do t’i kthejmë kurrizin arenës së debatit, por baltës ne do t’i kthejmë faqen tjetër dhe do të vazhdojmë punën për të cilën shqiptarët na zgjodhën ne”.

“Këtë mandat do të përkushtohemi për ta qytetëruar sa të mundemi mjedisin politik. Qeverisja jonë do t’i kushtojë rëndësi të posaçme të rinjve dhe fëmijëve me 3 programet e reja kombëtare të artit, sportit e zejeve si prioritete kyçe. PS duhet të fuqizohet në një krah të munguar me një Akademi Politike për lidershipin në funksion të të rinjve dhe të rejave”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet