Fermerët do të mbështeten drejtpërdrejt për të rritur prodhimin

“Fermerët shqiptare do të mbështeten drejtpërdrejtë për të rritur prodhimin. Rreth 200 milionë euro në vit do të investohen për fermerët për të ulur kostot e inputeve bujqësore dhe naftës, do të mbështeten për njësi prodhimi”, deklaroi kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi përmes një videomesazhi. Ajo u shpreh se, “gjysma e shqiptarëve jetojnë me bujqësi. Shumë prej tyre janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërkohë që shqiptarët shpenzojnë rreth 80% të të ardhurave të tyre për ushqim. Ndërkohë që sigurojnë me prodhimin vendas rreth 30 % të nevojave për ushqime”. “Me planin tonë, kjo situatë do të ndryshojë”, theksoi Kryemadhi. Ajo premtoi se, “mbështetje direkte do të ketë për çdo të imët apo gjedh të lindur dhe të therur, për çdo zog dhe shpend për mish, që shqiptarët të ushqehen me prodhimet “Made in Albania”, e jo t’i ushqejë bota”. “Do të vendosim TVSH 0% në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas, që shqiptarët të hanë më mirë e më lirë”, tha Kryemadhi, e cila shtoi se, “do të mbështesim industrinë ushqimore dhe do të hapim qindra vende pune”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet