Garanci sovrane për fermerët, koha e subvencioneve pa kriter ka perënduar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “është koha që të gjithë të vetëdijesohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar”. Në aktivitetin që u mbajt në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për fondin e garancisë sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekësh, Rama tha se, “sot është me shumë rëndësi që jemi këtu së bashku dhe që nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga partnerët tanë jepet një mesazh domethënës për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe të gjithë aktorët e angazhuar në zhvillimin rural, lidhur me mundësinë e re që është krijuar që prej vitit 2016”. Rama u shpreh se me këtë ndërhyrje tjetër të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve, apo sipërmarrjes bujqësore, insistohet në mesazhin se “është koha që çdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja dhe jo me mendjen tek e shkuara”. Kreu i qeverisë nënvizoi se, “janë 6 mijë përfitues nga fondi i garancisë. Dhe janë 72 milionë euro të disbursuara nga ky fond. Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit. Ashtu sikundër vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare një fond tjetër garancie sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritjen e kreditimit të bujqësisë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet