Hapja e negociatave/ Asnjë kontestim për detyrat e Shqipërisë as nga shtetet anëtare

Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, u shprehën edhe për konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nëse do të jetë Bullgaria ajo që do të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për një datë për hapjen e negociatave, Rama tha se “përgjigja ime mbetet ajo që ka qenë. Për ne, e para ka rëndësi që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht, sepse nuk i bëjmë se i kërkon Brukseli, Berlini, Franca apo Haga, por sepse na e kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm”.

“Detyrat e shtëpisë të integrimit europian, janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë europiane në sistemin e saj të drejtësisë, në sistemin e saj të institucioneve të mirëqeverisjes, të shërbimeve ndaj qytetarëve, në sistemin e saj të përgjithshëm demokratik, në sensin të çdo elementi demokratik. Për sa kohë ne, KE, jo këtë vit, po tanimë prej tre vitesh, na ka thënë detyrat i keni bërë si duhet dhe i ka kërkuar Këshillit Europian që të pranojë rezultatin e detyrave dhe të hapë më tutje fazën tjetër të procesit, ne jemi të qetë”, – u shpreh Rama.

Këshilli Europian, vijoi kryeministri, ka pasur arsyet e veta, që nuk kanë lidhje fare me ne e kam thënë dhe po e përsëris, sado të thonë ata jo ka lidhje, dhe kjo gjë ka marrë kohën e vet. Sot fatmirësisht nuk ka kontestim për detyrat tona, jo vetëm nga Komisioni nuk ka pasur më përpara, po as nga shtetet anëtare, por miqtë e mi ky është një rast tjetër për të mësuar Europën dhe rrugën e futjes në këtë familje të madhe ku gjërat janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Ka një ngërç midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe sigurisht mënyra sesi funksion i tërë sistemi i zgjerimit dhe integrimit dhe sistemi i brendshëm europian, kërkon që ky ngërç të zgjidhet përpara sesa të vazhdojë procesi.

Kryeministri tha se, “në këtë moment ne nuk kemi asnjë lloj shqetësimi apo arsye për të thënë se ne po sakrifikohemi, sepse ndërkohë ne këtu jemi me BE-në dhe po vazhdojmë punën për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve jo vetëm nga pikëpamja e të gjithë arkitekturës legjislative dhe funksionimit të institucioneve, por edhe nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e gjithë elementëve të tjerë të ekonomisë”.

Ai tha se, ka një pyetje legjitime se deri kur vazhdon kjo histori, se kemi parë sa shumë u zgjat një tjetër histori mes Maqedonisë së djeshme asaj të Veriut sot, me fqinjët.

“Sot të presim mbledhjen e Këshillit, të shikojmë do të ketë apo zhvillime dhe më tutje këtu jemi. Nuk ka asnjë minutë të humbur nga ana jonë, kjo ka rëndësi”, – deklaroi Rama.

Ndërsa Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi , u shpreh se “ky muaj është një muaj kritik. Është qershori i këtyre vendimeve, do duhet të merren këto vendime”.

“Ne po punojmë vërtet fort, edhe në këto momente prapa kuintave që të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE-së është e angazhuar dhe e përkushtuar për të gjetur zgjidhje dhe po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për Komisionin Europian, po është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne duam që kjo gjë të ndodhë”- tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet