Kurti: ''Jemi në një situatë kur Serbia merr fonde nga BE, por nuk demokratizohet''

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu besimin që të gjendet një zgjidhje sot në Bruksel për çështjen e targave të automjeteve. Në konferencën e përbashkët për mediet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti akuzoi sërish presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se po flet me gjuhën e shekullit të kaluar.

“Unë uroj dhe shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në takim me komandantin e KFOR-it ku nënkuptohet largimi i barrikadave për liri të lëvizjes dhe largimin e Njësive Speciale me zëvendësim të trupave të KFOR-it. Kështu policia kufitare do të qëndronte dhe reciprociteti po ashtu. Serbët lokalë e kanë pranuar vendimin, por ka një individ në Serbi, që është edhe kryetar që flet me gjuhën e viteve ‘90-të të shekullit të kaluar”, shtoi ai.

Kurti deklaroi se vendimi për reciprocitet për targa është një dakordësi e vjetër. “Nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, por një dakordësi të vjetër. Serbia kësaj iu përgjigj me manovra ushtarake. Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok, pas kërcënimeve serbe. Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë kur Serbia merr fonde nga BE, por nuk demokratizohet dhe militarizohet nga Rusia dhe Kina”, tha ai.

Kurti tha se në takim me Ursula von der Leyen biseduan për projektet për planet ekonomike, ku janë identifikuar 100 projekte, të cilat krijojnë një bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet