Meta: Moment kritik i pandemisë, të shtohet masivisht numri i testimeve

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se në këtë moment kritik të përhapjes së pandemisë, është jetike të shtohet masivisht numri i testimeve.

Ai tha se testimi është mjeti tepër efikas për diagnostifikimin, gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.

“Testimi është mundësia e vetme për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19. Si hap i parë, duhet të testohen menjëherë: Të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në sistemin e shëndetësor, parësor dhe spitalor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19. Të gjithë arsimtarët, në çdo nivel, për shkak se testimi dhe gjurmimi pasues i rasteve të tyre lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve tanë.Të gjithë të moshuarit e vetmuar, të cilët jetojnë të shtëpitë e kujdesit social. Të gjithë qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese”, tha ai.

Po ashtu, Meta shtoi se “për të gjitha këto kategori është tepër e nevojshme, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera, të nisë menjëherë edhe vaksinimi me vaksinën e gripit stinor”.

“Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan urgjent, transparent dhe i monitorueshëm në çdo moment. Pandemia mund të vihet nën kontroll dhe jetët e qytetarëve mund të shpëtohen. Çdo çorganizim, mosfinancim dhe mosveprim sjell pasoja fatale përditë. Shkenca ka folur. Koha për të vepruar nuk pret më”, përfundoi Meta.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet