Meta: Qeveritë të miratojnë politika dhe strategji efikase për të ndihmuar biznesin

“Qeveritë të miratojnë politika dhe strategji efikase për të ndihmuar biznesin, që përfshijnë mbështetjen e grave sipërmarrëse, përmirësimin e sistemit të kredidhënies, respektimit e të drejtave të pronësisë dhe garantimin e edukimit ekonomik në të gjitha nivelet e arsimit”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili mori pjesë në Forumin Botëror të Engjëjve të Biznesit 2021, që këtë vit po zhvillohet online për shkak të pandemisë Covid-19, me temë: “Furnizimi dhe ushqimi i ekonomisë së Evropës Juglindore përmes nëpërmjet inovacionit dhe sipërmarrjes”.

Në këtë forum të rëndësishëm, merrte pjesë drejtori Ekzekutiv i Forumin Botëror të Engjëjve të Biznesit, Baybars Atluntas, ish-presidenti i Krocisë, Ivo Josipoviç, presidentja e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Greqisë, Angela Gerekeu, presidenti i Institutit Europian të Markave, Gerhard Hrebicek dhe shumë personalitete të ekonomisë, biznesit dhe turizmit nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij, Meta u shpreh se, “sfidat me të cilat po përballemi janë të mëdha, sidomos gjatë kësaj periudhe kohore të vështirë të pandemisë COVID-19. Ekonomitë tona po vuajnë për shkak të situatës pandemike dhe ato duhet, me të gjitha mënyrat, të përmirësojnë performancën e tyre duke përdorur sa më mirë të munden mjetet e nevojshme, siç janë inovacioni dhe teknologjia dhe gjithashtu, mbështetja dhe rritja e sipërmarrjes”.

“Rajoni ynë është i pasur me burime natyrore, kështu që mundësitë e biznesit mund të shfaqen në të gjithë sektorët. Është shumë e rëndësishme, që secili vend duhet kryesisht të mbështesë sektorët ku përparësia krahasuese mund të arrihet në raport me vendet e tjera”, tha ai.

“Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të zhvilluar edhe më tej sektorë si turizmi. bujqësia ose teknologjia e informacionit (IT) për shkak të natyrës, veçorive specifike, motit dhe popullsisë së saj”, theksoi Meta.

Sipas Kreut të Shtetit, “për të qenë të suksesshëm si dhe për të arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike, ekonomitë tona duhet të garantojnë prodhime dhe shërbime me cilësi dhe siguri të lartë. Për të përmbushur këtë detyrë, ka shumë rëndësi mbështetja e sipërmarrësve dhe kuptimi i inovacionit si dhe përfitimeve prej tij”.

Prandaj, shtoi ai, “qeveritë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm përmes zhvillimit të politikave dhe strategjive që mbështesin sipërmarrjen dhe sigurojnë rritjen e saj. Disa nga këto politika dhe strategji përfshijnë mbështetjen e grave sipërmarrëse, përmirësimin e sistemit të kredisë në të gjithë vendin, përmirësimin e të drejtave të pronësisë, investime në eficiencën e energjisë, lehtësimin e tregtisë përtej kufijve, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe ndërmarrjeve të porsahapura, investimin në biznes dhe edukimin ekonomik në të gjitha nivelet e arsimit”.

Nga ana tjetër, nënvizoi Meta, “sipërmarrësit duhet të investojnë në inovacion dhe teknologji, në mënyrë që të përmirësojnë edhe më tej mallrat dhe shërbimet si dhe të rrisin të ardhurat e tyre. Duke prezantuar inovacionin dhe teknologjinë, nga njëra anë, ata rrisin prodhimtarinë e kompanive të tyre, ndërsa nga ana tjetër, nxisin dhe stimulojnë rritjen ekonomike të vendit”.

Duke u mbështetur në faktorët e përmendur më lart, theksoi Meta, “është e rëndësishme që Qeveritë dhe politikat, që ato hartojnë dhe ndërmarrin, të krijojnë kushte sa më të mira për sipërmarrësit që të nisin biznesin e tyre, për t’i rritur ato si dhe për të investuar në inovacione dhe teknologji. Nëse u ofrojmë sipërmarrësve tanë kushtet më të mira të mundshme, ata do të ndihmojnë ekonomitë tona që të përmirësohen dhe të përparojnë, dhe ata do t’i shërbejnë shoqërisë sonë për të zgjidhur dhe kapërcyer sfidat dhe problemet përmes inovacionit dhe teknologjisë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet