Opinionet për ''Ballkanin e hapur'', asnjë pengesë për fuqizimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opinionet e ndryshme në raport me “Ballkanin e hapur” nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministri Rama tha se, “mendimi i Shqipërisë, mendimi i kësaj qeverie dhe mendimi im lidhur me Kosovën dhe Serbinë, nuk është as sekret, as i panjohur, por është i njëjti mendim që unë e kam shprehur qysh në krye të herës edhe në mes të Beogradit, nuk ka ndryshuar”.

Ndërkohë, për sa i përket “Ballkanit të hapur”, Rama tha se kemi dy qasje, qëndrime apo opinione të ndryshme.

Por nga ana tjetër, shtoi ai, “duhet që edhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë së bashku gjërat e duhura në funksion të së ardhmes së dy vendeve tona”.

“Mendoj që këto opinione të ndryshme në raport me ‘Ballkanin e hapur’ nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh. Dhe nëse do më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejt, që do të thotë se shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360 gradë. Mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka rrezikohet të kapet në befasi, pas kontrollon me sy të dyja anët”, tha Rama.

Ai u shpreh se “është një vlerë e shtuar, që në këtë rast, në këtë periudhë të historisë sonë të jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë rreziku është të kafshojmë veten më shumë sesa sot që nuk e kemi këtë luks dhe këtë qëllim”.

Kryeministri u shpreh optimist për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, për këndvështrimin strategjik, por edhe për angazhimin e vendosur bashkërisht sa i takon marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Për ‘Ballkanin e hapur’ është një debat i hapur mes meje dhe Albinit, mos prisni që debatet të jenë të mbyllura, sepse i bie që ne të ndryshojmë emrat e të mos jemi ata që jemi. Është fiziologjia e një marrëdhënieje mes njerëzish që nuk rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem po të mendojnë njësoj”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet