Përjashtimi nga grupi parlamentar, Berisha: Vendimi i Bashës personal, jo i forumeve të PD-së

Ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga DASH, u shpreh sot se vendimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike është jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji.

Në një prononcim për mediet, Berisha tha se është informuar për këtë vendim nga Basha vetëm 30 minuta para se të bëhej deklarata zyrtare.

Berisha tha se “një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare, nuk mund ta marrë”.

“E kuptoj presionin, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa sovranitetin e PD-së. Bëri ata që nuk bëri Celibashi. Asgjësoi PD si parti sovrane. Jam i sigurt se e kanë kërcënuar me sanksione. Por nuk më intereson fare. Nuk i është bërë goditje Sali Berishës, por partisë politike”, tha ai.

Berisha tha se Basha i ka dhënë goditjen më të rëndë për interesat e veta vendit, PD dhe pluralizmit në Shqipëri.

“Njeriu ndodhet para rrethanave që nuk pranon kurrë që të asgjësojë forcën politike. Përpara një vendimi të tillë, Basha duhet të mblidhte Kongresin e PD-së, të ndryshonte statutin dhe të vendoste një nen në të cilin të sanksionohej përjashtimi i personave që shpallen “non grata” nga SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ky nen nuk ekziston. Ai shpalli një vendim që është nul. Sepse është i tiji dhe i asnjë forumi të PD”, tha Berisha.

Berisha tha se “thelbi është dorëzimi i sovranitetit të PD-së”. “Ka humbur e tërë shoqëria shqiptare, sepse vetëm një forcë politike sovrane mund të qeverisë vendin, mund të jetë një opozitë e pavarur e interesave opozita”, tha ai.

Berisha theksoi se do të jetë në parlament, pavarësisht këtij vendimi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet