Rama publikon fotoalbumin e javës

Kryeministri Edi Rama publikoi sot fotoalbumin e javës, ku tregohen aktivitetet gjatë javës që lamë pas.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm, ditën e Fiter Bajramit në ceremoninë e dorëzimit të 150 shtëpive të reja në Thumanë si pjesë e programit të Rindërtimit, pas prishjes së shtëpive prej tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Në fotoalbum një moment tjetër nga aktivitete javore ishte dhe seanca plenare e Kuvendit, ku Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë drejtpërdrejtë nga Kievi, nëpërmjet platformës Zoom.

Zelensky falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës, duke thënë se ky qëndrim i kujton Shën Terezën.

“Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mendoni se kë do të mbështesni. Ju jeni padyshim në anën e lirisë dhe të së vërtetës, Faleminderit! Faleminderit për hapat konkrete për Ukrainën për t’u kujdesur ndaj njerëzve tanë, ndaj fëmijëve tanë veçanërisht. Ky qëndrimi juaj ndaj popullit të Ukrainës në kohë të vështira për ne, më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare, jeta e të cilës është kthyer në simbolin e humanizmit për mbarë botën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen”, theksoi Zelensky në fjalën e tij

Gjithashtu në fotoalbum është edhe ceremonia e dhënies së 11 fëmijëve të parë statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Rama u dorëzoi 11 fëmijëve të parë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me mirënjohjen e thellë për prindërit e tyre që dhanë jetën për mbrojtjen e jetës së të tjerëve.

Rama u shpreh se, “Statusi ‘Fëmijë në përkujdesje të Republikës’ nuk është më zotim, por risi e veçantë e jetës sonë që aktet e vetëmohimit i japin kuptimin më të madh”.

Në fotoalbumin e publikuar një tjetër moment i rëndësishëm është dhe pjesëmarrja e kryeministrit Rama në Varshavë të Polonisë, ku mori pjesë në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkëorganizuar nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Shqipëria kontribuoi me 1 milion euro për Ukrainën në këtë Konferencë. Në fjalën e tij Rama tha se “Shqipëria është vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atje ne jemi bashkëpenëmbajtës me SHBA-në për Ukrainën. Dhe në koordinim edhe me vendet e tjera që mendojnë njësoj si ne, po japim kontributin tonë duke iniciuar mbledhje dhe hartuar dokumente lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë për Ukrainën”.

Gjithashtu kryeministri Rama gjatë javës mori pjesë në konferencën e XVIII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko – Joniane. Në këtë Konferencë Rama u shpreh se, “për Shqipërinë plani A, B dhe C është vetëm Evropa”.

Kryeministri Rama së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko dhe ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantuan të premten nismën e Revolucionit Digjital për bankat e nivelit të dytë, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve.

Rama deklaroi në këtë prezantim se, “është koha që bankat e nivelit të dytë t’i bashkohen Revolucionit Digjital, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve të epokës së vjetër, njësoj siç u bë me shërbimet publike me dokumentet”.

Fotoalbumi mbyllet me Asamblenë e Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u diskutua mbi riorganizimin e PS.

Rama në këtë Asamble foli edhe për reformën në drejtësi duke kërkuar nga prokurorët e SPAK që të zgjohen dhe t’i dalin në mbrojtje Shqipërisë.

“Zonja dhe zotërinj të SPAK zgjohuni dhe dilini në mbrojtje Shqipërisë. Nëse Shqipëria sot është e turpëruar para një ‘non grate” të vdekuri që i bën karshillik këtij populli dhe gjithë dynjasë. Këtë turp duhet ta mbaj SPAK-u dhe askush tjetër. Në deklaratën e DASH shprehet qartë: se ju takon institucioneve të drejtësisë të bëjnë detyrën bazuar mbi atë përfundim të nxjerrë nga DASH dhe kjo nuk është për Amerikën, revolta ime dhe e jona nuk është se po na ofendohet Amerika, apo se po fyhet Amerika, jo fare, është se po sfidohet drejtësia dhe delegjitimohet SPAK dhe sistemi i drejtësisë, që kanë ngatërruar detyrat e KLSH me detyrat e prokurores speciale, drejtësinë penale me përgjegjësi administrative, që kanë ngatërruar nevojën për drejtësi me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njerëzve”, deklaroi Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet