Rama: Ali Ahmeti, një nga pionierët e Ballkanit të Hapur

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp në Samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër, gjithashtu falënderoi Ali Ahmetin për praninë e tij në Samit, duke theksuar se është një nga pionierët e “Ballkanit të Hapur”.

“Dua të them që Ali Ahmeti është një nga pionierët e “Ballkanit të Hapur” edhe kur ne nuk ishim akoma këtu ku jemi, jo më të ishim në “Ballkanit të Hapur”, dhe për këtë mjafton të shikohet çfarë është sot gjithë sistemi institucional i Maqedonisë së Veriut dhe çfarë ishte në kohën kur Ali Ahmetit i thoshin po ulesh me armiqtë që ishin në të njëjtën rrugicë dhe që ndajnë së bashku qiellin dhe tokën e këtij shteti, i cili është një shtet i ndërtuar nga dy popullsi shtetformuese, maqedonasit dhe shqiptarët. Ishte një kohë kur as nuk mund të imagjinohej që gjuha shqipe do të ishte një gjuhë zyrtare. Lëre pastaj të imagjinoje që kryetari i parlamentit do ishte shqiptar, që 2 zv/kryeministra do ishin shqiptarë, që ku di unë sa ministra do ishin shqiptarë, e me radhë”, tha Rama.

“Këto i them, sepse kush do të dijë se çfarë është “Ballkani i Hapur” dhe ku duam të shkojmë ne ka shumë mënyra për ta mësuar dhe një nga mënyrat është të shikojë rrugëtimin e Ali Ahmetit. Është sot më mirë Maqedonia e Veriut nga pikëpamja e bashkëjetesës dhe harmonisë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, apo më keq? Është sot më mirë në çdo pikëpamje falë kësaj bashkëjetese, apo më keq? Ky është “Ballkani i Hapur”. Ti nuk e zgjedh se me kë të ka rënë nga Zoti të ndash qiellin dhe të ndash tokën. Por ama, ti zgjedh se si të bashkëjetosh me të.

Nga ana tjetër dua të them diçka për ata që bëjnë pyetje lidhur me futjen apo daljen, apo anëtarësimin në “Ballkanin e Hapur”. Fatmirësisht “Ballkani i Hapur” nuk është as OKB, as BE. Në “Ballkanin e Hapur” nuk ka një proces anëtarësimi. Nuk anëtarësohesh, integrohesh sipas dëshirës tënde. Se kështu siç bëhen pyetjet, i bie që ne tani bashkë me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë të fillojmë t’i vëmë standarde dhe kushte të tjerëve dhe të japim mendime, të nxjerrim një raport progresi, si keni ecur këtë periudhë, hapen s’hapen negociatat, anëtarësoheni në “Ballkanin e Hapur”, dhe pastaj të fillojmë me veto. Duam 2 po s’do Serbia. Do Serbia, po s’do Shqipëria. Ne nuk jemi. Fatmirësisht ne nuk kemi në dorë ta ndryshojmë BE-në, por se si e bëjmë punën në Ballkan e kemi në dorë. Se e kemi parë se si ka funksionuar puna me atë tregun e përbashkët, për të cilin të gjithë flasin që është gjëja e duhur. Por ne “Ballkanin e Hapur” e kemi krijuar për të zbatuar ato që janë aty tek parimet e tregut të përbashkët. Dhe ndryshimi cili është? Se aty ke tregu i përbashkët mund të vihet veto. Dhe njëri vë veto dhe të gjithë rrinë pa kanale të gjelbra të operatorëve ekonomikë. Njëri tjetër vë veto, s’ka diploma të njehsuara. Del një tjetër vë veto, nuk ka shumë nga gjërat që ne po bëjmë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet