Rama: Në SPAK çdo rast që nuk i përgjigjen rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, do të shkojë në SPAK çdo rast kur nuk rekomandimet e Agjencisë së Prokurimit Publik nuk marrin përgjigje nga institucionet.

Në një takim në Kryeministri mbi paketën e re të prokurimit publik, Rama u shpreh se, “në këtë moment është shumë e rëndësishme që të bëhet një analizë serioze e kapaciteteve të burimeve tona njerëzore, sepse ajo që bie në sy është niveli i ulët shpesh herë i kuptimit të vetë procesit, që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe e degradon procesin në rezultate të shëmtuara”.

“Qëllimi madhor i gjithë kësaj përpjekje dhe shtysa madhore e gjithë procesit që është kurorëzuar me paketën e re ligjore, është që në këtë vend të mos i hahet haku askujt. Dhe kush e ka me hak të marri hakun, kush nuk e ka me hak të mos marrë hakun e dikujt tjetër”, theksoi Rama.

“Natyrisht është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet sepse procesi është në vetvete një proces i ndërlikuar. Është një proces për të cilin edhe vetë BE vazhdon sot e gjithë ditën të kërkoj rrugë dhe mjete ligjore për ta përsosur, por ama është plotësisht e mundur, objektivisht e mundur që për një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike, duke bërë disa gjëra të thjeshta, aspak të ndërlikuara”, u shpreh Rama.

“Në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak. Dhe duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë , jo 99%, po 100% i garantuar”, theksoi Rama.

“E thashë dhe më parë se rekomandimet e Agjencisë së Prokurimit Publik nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse Bibla dhe Kurani hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve. Pra janë rekomandime që mund të diskutohen, ndaj të cilave mund të reagohet në mënyrë institucionale për të thënë se ky apo ai rekomandim duhet rishikuar nga ana e vetë Agjencisë. Por ama sikur në një rast të vetëm, rekomandimet të bien në një vesh, aq të shurdhër sa mos ketë fare përgjigje, as thua se Agjencia e Prokurimit Publik mbyll letra në shishe dhe i hedh në det që dallgët t’i nxjerrin ku t’i nxjerrin. Çdo rast i tillë do shkojë në SPAK. Dhe do shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është thjesht injorancë në raport me etikën shtetërore, këtë çështje indiferentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete”, theksoi Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet