Rama: PS me profil të ri politik në territor për të përballuar sfidën e së nesërmes

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste se “është domosdoshmëri që ne t’i japim drejtimit të partisë në territor jo vetëm një impuls të ri, por edhe një profil të ri politik”.

Rama vlerësoi se Kongresi i hapi rrugë një procesi të ri dhe shumë të domosdoshëm për PS-në për të hyrë në zgjedhjet e reja për drejtuesit e partisë, fillimisht në të 61 bashkitë e vendit dhe pastaj edhe në të gjitha njësitë administrative.

“Na duhet një profil që na siguron se partia ka zë në territor dhe kryetarët e partisë nuk janë as hije, as konkurrentë me kryetarët e bashkisë, as burokratë që bëjnë politikën e kuadrit të qeverisë, as zyrtarë që merren me punësime, por janë zëvendës politikë të PS-së, janë njerëz që përçojnë zërin e PS-së në territor, që organizojnë dhe mundësojnë komunikimin e partisë në të gjithë territorin dhe dinë të ballafaqohen me njerëzit me modesti dhe argumente”, tha Rama.

Ai tha se duhen njerëz që i prijnë PS-së pa pasur axhenda të tjera dhe që janë shtrati i ri politik i PS-së së nesërmes.

Ndaj, sipas tij, procesi duhet të jetë jashtëzakonisht i vërtetë dhe jashtëzakonisht i përpiktë në të gjithë hapat e vetë.

“Duhet të shmanget çdo lloj formalizimi në këtë proces. Duhet që Asambletë e partisë të jenë shumë aktive, por të mos kenë monopolin e procesit. Të shmangen nxjerrjet në ballë të drejtuesve të partisë që janë rezultat i konflikteve apo i përplasjes për të ndryshuar ekuilibrin e forcave nga grupe të ndryshme”, tha Rama.

Ai theksoi se “në këtë proces ne na duhet një zgjedhje që të garantojë një transformim të PS-së që është i domosdoshëm për të përballuar sfidën e së nesërmes dhe për të garantuar vazhdimësinë e PS-së si forcë e qeverisëse”.

Rama theksoi se “garancinë për të qeverisur më tutje ne nuk na e japin punësimet në shtet”.

“Garancinë për të qëndruar më tutje në krye të vendit ne na e jep një PS që arrin në territor të na përfaqësojë me dinjitete dhe të komunikojë ashtu si duhet me njerëzit, pa harruar asnjëherë që anëtarësia jonë reale është 60-70 mijë vetë, ndërkohë që votuesit tanë janë mbi 700 mijë. PS në territor duhet të jetë partia e votuesve tanë”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “është shumë e rëndësishme ta kuptojmë sot para se të jetë vonë dhe para se të përfundojmë si kundërshtarët tanë që e kthyen partinë një një detashment të pushtetit dhe ja ku janë sot”.

“Ky është një proces i cili i jep mundësi të gjithë anëtarësisë, por edhe simpatizantëve dhe mbështetësve të PS-së që të përfshihen në zgjedhjen e drejtuesve të rinj të partisë, qoftë duke propozuar kandidatura edhe pa qenë pjesë e Asamblesë së partisë, qoftë duke avancuar kandidaturën vetjake në funksion të ambicies për ta drejtuar PS-në. Nga ana tjetër, procesi do të garantojë që të gjithë kandidatët për drejtimin e PS-së në çdo bashki të kalojnë përmes një rruge e cila faktikisht përveç se garanton hapjen e partisë, mundëson vlerësimin e çdo kandidature, garanton konkurrencën për kandidatët dhe në fund siguron meritën në përzgjedhjen e tyre”, tha Rama.

Për këtë arsye, Kryeministri theksoi se “bazuar edhe në vendimin e marrë por edhe në librin e rregullave të partisë, kryesia ka ngritur një komision të posaçëm zgjedhor për këtë proces që do të fillojë menjëherë dhe do të mbyllet në fund të qershorit, që në fillim të korrikut kryesia të miratojë kandidatët fitues”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet