Rama: SHBA dhe BE janë këtu sot, Lavrov nuk është

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nëse Lavrov do të ishte mbështetësi i “Ballkanit të Hapur” do të ishte aty.

I pyetur në konferencën për shtyp në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër për deklaratën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov për “Ballkanin e Hapur”, Rama tha se, “sa për ministrin e Jashtëm rus, bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit shumë të lartë në nivelin e oqeanit të diplomacisë botërore, i cili është i mirënjohur për sarkazmat e tij dhe shumë peshq kanë rënë në atë rrjedhën e trukeve të tij, sepse nëse ai do ishte mbështetësi i “Ballkanit të Hapur” do ishte këtu. Si mund të jetë ai mbështetësi i “Ballkanit të Hapur”? SHBA dhe BE nuk e duan “Ballkanin e Hapur”. SHBA dhe BE janë këtu sot, ai nuk është. Këtë lloj fabule, ose këtë lloj narrative, ose këtë lloj ushqimi e hanë vetëm peshqit e “Ballkanit të mbyllur”. Peshqve të “Ballkanit të mbyllur” nuk kemi çfarë u bëjmë. I kemi në ujërat tona. Edhe ne lloje peshqish jemi, por të rrimë tek kjo fauna e detit, por “Ballkani i Hapur” është për të gjithë njerëzit”.

“Të peshkosh në këtë ujin e historisë së marrëdhënieve ballkanike për të dëmtuar procese që janë në thyerje me të shkuarën dhe në ngjitje me të ardhmen është shumë e kollajshme, por nuk ka për të funksionuar. Ne nuk kemi pritur që Rusia të sulmojë Ukrainën për ta marrë vesh që Serbia ka një marrëdhënie të veçantë me Rusinë. As s’kemi pritur “Ballkanin e Hapur” apo nuk na ka penguar “Ballkani i mbyllur” për të na mësuar që ka një histori. Dhe as na ka penguar, as na pengon kjo histori. Përkundrazi, ne duhet të vazhdojmë këtë rrugë që të ndërtojmë një histori të re si të gjithë popujt dhe si të gjithë vendet që kanë ditur të ikin nga kthetrat e së shkuarës dhe ja ku janë sot”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet