Rama: Të kërkosh më shumë nga drejtësia nuk është presion

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “PS është i vetmi subjekt politik në këtë vend, që as nuk i ka bërë, as nuk i bën dhe as nuk do t’i bëjë njëherë ndonjë presion drejtësisë”.

Në një konferencë për mediet nga selia e PS-së, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Rama tha se “jemi këtu sot në vijim të një diskutimi që është ngjallur nga qëndrimi im në Asamblenë Kombëtare të PS-së lidhur me nevojën që SPAK të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve e gjykatësve e të prokurorëve të korruptuar që si të tillë janë përjashtuar nga procesi i vetingut”.

“Disa e kanë quajtur këtë presion mbi drejtësinë, disa të tjerë frikë nga humbja e pushtetit, ndërsa të tjerë e kanë komentuar si përpjekje për të fshehur dështimet e qeverisë. Për mua më e rëndësishme është që ky diskutim të bëhet sepse SPAK së shpejti mbush 3 vjet dhe vetingu në pak javë mbush 5 vjet”, tha Rama.

“Për pak vite pritja e popullit shqiptar për një drejtësi të drejtë dhe të barabartë mbush 35 vjet, prandaj si dikush që për shkak të detyrës e ka udhëhequr politikisht, moralisht dhe vendosmërisht Reformën në Drejtësi, në emër të forcës politike që i ka dhënë kësaj reforme të gjithë fuqinë e mbështetjes së vetë morale, politike, profesionale, nga pikënisja dhe deri më sot, por edhe si njeriu që është sulmuar më shumë për këtë reformë, jo vetëm nga kundërshtarët e saj të betuar por edhe mbështetësit e saj, unë besoj se të drejtën që të ndaj qëndrimin tim për punët e drejtësisë së re nuk ma heq dot askush”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet