Rama: zinxhiri i infeksionit nuk u ndërpre edhe në vende që testuan më shumë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çështja e testimeve për COVID-19 është bërë qesharake në Shqipëri ndërkohë që edhe në vendet me numrin më të madh të testimeve, nuk është ndërprerë zinxhiri i infeksionit. Duke folur në Kuvend ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2021, Rama u shpreh “sa e rëndësishme është që të kuptohet mirë se për çfarë bëhet fjalë, aq qesharake është bërë duke u kthyer në një pingpong, në një top pingpongu me të cilin lozin të gjitha llojet e pallaskave të këtij vendi që kanë mundësinë të ulen në një tavolinë me kamera përpara për të dalë në ekran”.

“Sot debati i testimeve është një debat i madh, sepse faktikisht qoftë në vendet që kanë bërë numrin më të madh të testimeve, qoftë në vendet që kanë bërë më pak testime, zinxhiri i infeksionit nuk është ndërprerë. Nuk rezulton asnjë ndërprerje. Pasojat nuk rezultojnë të jenë të ndryshme, fare. Përkundrazi mund të shohësh vende që kanë bërë shumë më tepër testime dhe kanë shumë më tepër infektime dhe kanë shumë më tepër pasoja. Vende që kanë bërë më pak testime dhe që kanë më pak infektime dhe më pak pasoja. Që nuk do të thotë që ata që kanë më shumë testime kanë më pak infektime, të gjithë janë njësoj”, tha Rama.

“Por thelbi, të cilin e kanë shpjeguar qysh në krye të herës ekspertët tanë të Komitetit Teknik është ai që ka qenë dhe ai që mbetet sot. Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe me gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Dhe shumë njerëzve u them atë që përsërisin ekspertët. Dhe mbase duke qenë se për shkak të detyrës, kanë më shumë vëmendje kur flas unë dhe jo kur flasin ekpertët, e përsëris dhe unë. Në momentin kur ndjen simptomat të dyshimta, por jo shqetësuese në pikën që të shkosh në spital karantinohu dhe merr këshillat e mjekut të familjes. Sillu njësoj sikur ta kesh COVID-in”, u shpreh Rama.

“Sot në Lombardi, në rajonin më të pasur të Italisë, me shëndetësinë më ekselente të Italisë, autoritetet shëndetësore nuk të bëjnë tamponin nëqoftëse nuk ke simptoma të një grade të caktuar. Por të thonë qëndro në shtëpi. Bëj 1, 2, 3, 4 dhe ndjekin dinamikën. Vajtja me turravrap për të bërë tamponin tek privati dhe për të paguar atje para’ që faktikisht shpenzohen në mënyrë të panevojshme, mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë”, theksoi Rama.

Ai shtoi se, “asnjë shtet sot që flasim, tani, nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Dhe shtete që bënin testime, testime, testime, tani janë frenuar duke u përpjekur të fokusohen aty ku Shqipëria dhe jo vetëm Shqipëria janë fokusuar qysh në krye të herës. Për asnjë arsye tjetër. As se jemi më të zotë, ose as se nuk kemi mundësi. Por sepse kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga ekspertët tanë. Nëse Komiteti Teknik do të thoshte na duhen kaq herë më shumë teste, do blinim teste. Si nuk do t’i blinim? Do t’i blinim”.

“Siç kemi gjetur mundësinë në këto kushte të paguajmë naftëtarët, edhe pse nuk ishte një hall i krijuar nga ne. Siç kemi gjetur mundësinë sot që të dyfishojmë ndihmën ekonomike nga 1 janari i vitit të ardhshëm për të gjitha familjet me nevojë dhe që jetojnë me ndihmë ekonomike. Siç kemi gjetur mundësinë për të bërë dhe të tjera gjëra që lidhen me këtë luftë, patjetër që do ta gjenim mundësinë absolutisht për të shtuar testet në dispozicion”, nënvizoi kryeministri Rama.

Por, theksoi ai, “në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën. Sa të infektuar ke, sa fatalitete ke dhe sa shtretër ke në dispozicion”.

“Nëse në këto të treja nuk je në gjendje alarmi domethënë që po bën punën e duhur. Nëse në këto të treja Shqipëria nuk është asgjëkundi në vendet që kryesojnë listat për të infektuar për milion banorë, për të vdekur për milion banorë dhe për kapacitete në shtretër. Por është në një pozicion, bashkë me të tjerë, që hyn tek normalja e kësaj kohe anormale, atëherë të tjerat janë të gjitha llafe. Mund të kishte ndodhur, mund të ndodhë në proces, nuk e dimë. Prandaj jemi përgatitur edhe për më të keqen që mund të ndodhë. Prandaj kemi kapacitete të lira sot që flasim, qoftë në spitalin COVID 3 ende, qoftë një spital komplet bosh që pret atje për ditën e keqe. Por qoftë dhe në spitalet rajonale ku do të shtrihet vija mbrojtëse, në rast se numrat do të shkojnë përtej këtyre kapaciteteve. Por sot nuk ka ndodhur”, theksoi Kryeministri Rama.

Rama tha se, “edhe në rajonin tonë ne jemi me parametrat më lehtësues nga pikëpamja psikologjike”.

“Rëndimi i njerëzve me këtë tam tam pa pushim që i bën jehon ëndrrës monstruoze të atyre që brakstisën parlamentin me idenë se me rrugë të panjohura, antidemokratike do marrin pushtetin, ëndrrës që COVID-i do ta bëjë tani atë që ata nuk e realizuan dot, që të kalli mes shqiptarëve dëshpërimin ekstrem dhe ta kthejë këtë dëhspërim në një gjenerator lufte kundër qeverisë, është një jehonë që tregon vetëm dembelizmin kronik, mendor të atyre që kujtojnë se mund të vijnë në qeveri deri dhe duke përdorur si aleat COVID-in”, theksoi Rama.

“Kjo nuk do të ndodhë. Nuk ka si të ndodhë. Dhe ne do të bëjmë gjithçka, të gjithë së bashku, deri në fund, se bilanci i kësaj lufte bëhet në fund, të kemi një bilanc për të cilin në fund të jemi të gjithë të lehtësuar me vetveten dhe me njerëzit që bëmë gjithçka mundëm dhe Shqipëria doli nga kjo luftë me të gjitha pasojat që çdo luftë sjell, por me asnjë pasojë më shumë sesa të gjithë të tjerët”, përfundoi kreu i qeverisë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet