Soreca me kryetaren e KLGJ: Efikasiteti, fjala kyç në këtë fazë të Reformës në Drejtësi

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, priti sot në një takim pune ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili ishte i shoqëruar nga Lenka Vitkova, Shefe Sektori pranë DBE.

Sipas deklaratës për shtyp të KLGJ-së, të pranishmit diskutuan rezultatet dhe sfidat e institucionit të KLGJ-së, si dhe gjithë sistemit gjyqësor në tërësi, jo vetëm në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi por edhe përgjatë kohëve sfiduese të pandemisë globale COVID-19.

Bashkëbiseduesit e përqendruan diskutimin e tyre si në përpjekjet e KLGJ-së për plotësimin e mëtejshëm të Gjykatës së Lartë me gjyqtarë ashtu dhe në marrjen e masave të eficiencës përmes diskutimit dhe miratimit të projekt-propozimit të hartës së re gjyqësore me qëllim sigurimin e funksionalitetit të veprimtarisë së gjykatave të apelit dhe atyre të shkallës së parë.

Në mbyllje të këtij takimi Ambasadori Soreca e njohu Llagamin dhe me mekanizmat e reja të asistencës teknike që DBE do të zbatojë në të ardhmen e afërt, duke synuar ofrimin e një mbështetje të dedikuar për institucionet e pavarura të drejtësisë.

Takimin e komentoi edhe ambasadori Soreca, i cili në një postim në “Twitter”, u shpreh se Bashkimi Europian vazhdon të mbështesë punën e KLGJ-së.

“Kënaqësi diskutimi me kryetaren e KLGJ, Llagami rreth përparësive të Këshillit, përfshirë avancimet në Gjykatën e Lartë, hartën gjyqësore dhe ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve. Efikasiteti është fjala kyçe në këtë fazë të re të Reformës në Drejtësi. BE vazhdon të mbështesë punën e KLGJ-së”, u shpreh ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet