Teliti: 'Qeveria shkeli Kushtetutën. Nuk negocioi kushtet e borxhit'

Ish-deputeti i PD-së Dorian Teliti deklaroi sot se “borxhi i ri është 30 milionë euro dhe se qeveria shkeli Kushtetutën, nuk negocoi kushtet e borxhit dhe nuk mori plotfuqinë tek Presidenti”.

Në një deklaratë për mediat, Teliti tha se qeveria ka treguar këto ditë një tjetër sjellje të papërgjegjshme në menaxhimin e keq të financave publike.

“Anulimi i projektit për Rehabilitimin e Lumit të Vlorës, duke lënë në mes dhe të papërfunduar një investim të nisur prej kohësh, aq të nevojshëm për banorët e zonës, është tregues sesa pa plan, pa vizion dhe sa i dështuar është Edi Rama. Gjithashtu, është një rast i përsëritur që dëshmon se me Edi Ramën në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, por vetëm interesa personale të pushtetit. Duke vepruar me arrogancë, qeveria në ikje ka shkelur kushtetutën. Pasi i ka hequr fondet nga rruga e Lumit të Vlorës, ajo nuk ka respektuar ligjin për të negociuar siç duhet termat e marrëveshjes së re të borxhit”, tha ai.

Po ashtu, Teliti shtoi se Kushtetuta dhe ligji detyrojnë qeverinë që për çdo marrëveshje të re borxhi, të marrin tek Presidenti plotfuqinë për të negociuar.

“Kreu i shtetit ka bërë publik disa dokumente që provojnë se kjo ndodhur, duke e kthyer Shqipërinë nga një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, në një vend ku ligji dhe kushtetuta, institucionet e pavarura apo të drejtat e qytetarëve shkelen sipas nevojave të këtij pushteti të korruptuar. Edhe për një rast kaq flagrant, Edi Rama gënjeu”, tha Teliti.

Sipas tij, “nuk ka patur negociata as për afatet kohore te borxhit, as për normat e interesit, pra për kostot e kësaj huaje 30 milionëshe, te cilat do te paguhen nga të gjithë ne, qytetaret e Shqipërisë”.

Ai shtoi se “sa herë ka një interes personal, Rama shkel ligjin dhe anashkalon çdo institucion që nuk e kontrollon dot, siç veproi edhe këtë radhë me Presidentin dhe borxhin e ri 30 milionë euro”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet