Vuçiç: Do vazhdojmë përgatitjet për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për krizën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha sot se “marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimi tregtar janë në rritje drastike, ndërsa sa i përket politikës, nuk kemi çështje bilaterale të hapura mes tre vendeve tona dhe jemi 3 ndër më të vështirat në rajon”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me liderët e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas samitit të “Ballkanit të Hapur” të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë, Vuçiç tha se “javën e ardhshme do të kemi një videokonferencë dhe do të vazhdojmë përgatitjet tona që ekspertët tanë të bashkohen dhe të gjejnë zgjidhjet më të mira për krizën që kaploi botën dhe Evropën. Do të mundohemi të ndihmojmë dhe të jemi afër njëri-tjetrin. Jam i kënaqur që kemi biseduar për të gjithë çështjet e hapura dhe të shikojmë të gjejmë zgjidhje që njerëzit të jenë më mirë”.

“Kjo nuk do të bëhet menjëherë, pasi nuk mund të sillen menjëherë rezultatet në të gjitha fushat. Nuk mund të duken rezultatet menjëherë, por duhet të vazhdojmë të bisedojmë për të thjeshtëzuar procedurat për kalimin në kufi, të mos kemi shumë kontrolle dhe burokraci. Do të punojmë për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë dhe zvogëlimin e të gjitha procedurave burokratike”, theksoi Vuçiç.

Më tej, Vuçiç tha se “çdo herë jam i pakënaqur me veten time, për rezultatet që arrijmë, megjithatë kemi arritur shumë.”

“Sot në Ohër dëshiroj të them se ne duam të kemi vetëm marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore dhe mund të mbështeteni tek ne çdo herë”, shtoi Vuçiç.

Vuçiç shtoi se “dëshiroj t’i them një falënderim të madh Kryeministrit Rama, pasi ka qenë konsistent dhe i fuqishëm, sepse kur kemi qenë në presion nga anë të ndryshme dhe kur është dashur të heq dorë nga “Ballkani i Hapur”, Edi Rama ka treguar fuqi të madhe të liderit. Ka dëshmuar se çfarë do të thotë përcaktim dhe vendosmëri për diçka që ke filluar, të vazhdosh ta bësh, dhe si president i Serbisë i kam një borxh të madh, se pa energjinë dhe fuqinë e tij “Ballkani i Hapur” nuk do të mund të mbijetonte”.

“Falënderoj edhe njerëzit në Shqipëri që vijnë gjithnjë e më shumë në Serbi, të cilët edhe shumë ngrohtësisht i presin turistët nga Serbia dhe ne shpresojmë që marrëveshjet që kemi nënshkruar sot do të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e marrëdhënieve tona, për afrimin e kombeve tona dhe do të sjellë shumë gjëra të mira”, tha Vuçiç.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet