Shqipëria pjesë e Konventës për eliminimin e ndotjeve detare

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, (Anti-Fouling) 2001”. I pranishëm në mbledhjen e këtij komisioni zv.ministri i Brendshëm, Ardi Veliu tha se, “sistemet Anti-Fouling janë materiale që shërbejnë për lyerjen e fundit të anijeve, me qëllim parandalimin e ngjitjes së gjallesave bimore, si alga apo molusqe që ndikojnë në uljen e shpejtësisë së anijeve, rritjen e konsumit të karburantit dhe ndotjen e ajrit”.

Veliu theksoi se, “Konventa ndalon përdorimin e bojërave të dëmshme të përdorura në anije dhe vendos një mekanizëm për të parandaluar përdorimin e mundshëm të substancave të tjera të dëmshme në të ardhmen në sistemet antindotje”.

Sipas kushteve të Konventës AFS, Palëve në Konventë u kërkohet të ndalojnë dhe/ose të kufizojnë përdorimin e sistemeve të dëmshme anti-ndotje në anijet që mbajnë flamurin e tyre, si dhe anijet që nuk kanë të drejtë të mbajnë flamurin e tyre por që veprojnë nën autoritetin e tyre dhe të gjitha anijet që hyjnë në një port, kantier detar ose terminal në det të një Pale.

“Konventa përfshin një klauzolë, që thotë se një anije do të ketë të drejtë për kompensim nëse ndalohet ose vonohet padrejtësisht ndërsa i nënshtrohet inspektimit për shkelje të mundshme të Konventës. Gjithashtu Konventa parashikon krijimin e një “grupi teknik”, për të përfshirë njerëz me ekspertizë përkatëse, për të shqyrtuar propozimet për substancat e tjera të përdorura në sistemet kundër ndotjes të ndaluara ose të kufizuara”, tha Veliu.

Projektligji është në përputhje me programin e qeverisë. Konventa vendos një mekanizëm për të parandaluar përdorimin e mundshëm të substancave të tjera të dëmshme në të ardhmen në sistemet antindotje.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet