Finalja e Conference League në Tiranë, Rama: Imazhi i vendit, pakrahasimisht më mirë se më parë

Në 25 maj Tirana do të mirëpresë finalen e UEFA Europa Conference League, Roma-Feynord.

Kryeministri Edi Rama tha sot se askush nuk e mendonte këtë zhvillim deri para pak vitesh, kur Kombëtarja e Shqipërisë emigronte jashtë se s’kishte stadium të pranuar nga FIFA/UEFA për ndeshjet e shtëpisë.

“Kush e mendonte deri para pak vitesh, kur Kombëtarja e Shqipërisë emigronte jashtë se s’kishte stadium të pranuar nga FIFA/UEFA për ndeshjet e shtëpisë?!”, tha Rama.

Por, sipas tij, “nuk është vetëm stadiumi, është imazhi i Shqipërisë, niveli i sigurisë, shërbimit, ushqimit, nami ndërkombëtar i Tiranës, që janë sot pakrahasimisht më mirë se sa deri para disa vitesh”.

“Dhe siç më tha një nga të dërguarit e UEFA-s, “Ne jemi të lumtur të kontribuojmë, që njerëzit në Europë ta mësojnë se sa rrënjësisht ndryshe është Shqipëria nga perceptimi i krijuar për vendin tuaj në kohë të këqija”.

Përgatitjet për finalen e UEFA Europa Conference League, ngjarjes më të madhe sportive që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë, kanë nisur prej kohësh, teksa tashmë çdo gjë po konkretizohet.

E gjithë Federata Shqiptare e Futbollit është vënë në dispozicion të UEFA-s për të organizuar një ndeshje finale sa më të përkryer dhe dinjitoze.

Fusha e stadiumit “Air Albania” është prekur nga ndryshimet që do të pasojnë më tej edhe me tribunat e stadiumit, përkatësisht ajo e medias dhe tribunat e miqve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet