Gjykata e Tiranës zgjat masën e pezullimit nga detyra për Armando Dukën

Gjykata e Tiranës vendosi sot zgjatjen e masës së sigurimit “pezullim nga detyra” për presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka, sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku dhe sekretarin e Shoqatës Rajonale Tiranë, Ardian Haçi, teksa asnjëri prej tyre nuk u paraqit në seancë. Gjykata ka vendosur që zgjedhjet e caktuara për kreun e FSHF janë të pavlefshme, duke pezulluar drejtuesit dhe organizatorët e këtij procesi me të paktën 3 muaj.

Prokurori u shpreh se, pezullimi i Armand Dukës, Ilir Shulkut dhe Ardian Haçit është i domosdoshëm pasi gjatë këtij procesi janë konstatuar një sërë parregullsish. Gjithashtu ai kërkoi dhe praninë fizike të drejtuesve të FSHF për të dhënë sqarime në lidhje me hetimet për manipulim dhe parregullësi të tjera në lidhje me procesin zgjedhor.

“Është nisur hetim lidhur me një sërë parregullsish të dyshuara si të konsumuara në mbledhjen e datës 24 janar. Pas administrimit të vendimit për “pezullim nga detyra” prokuroria e ka zbatuar masën përmes policisë gjyqësore duke i njoftuar shtetasit. Vendimi iu është bërë me dije personave. Ne si prokurori kërkojmë vijimin e masës së sigurimit “ndalim i përkohshëm i ushtrimit të detyrës”, u shpreh prokurori i Tiranës, Arben Agovi.

Gjykata e Tiranës ka pezulluar Armand Dukën nga ushtrimi i detyrës së presidentit të FSHF-së. Ndryshe nga 5 vendimet e mëparshme që kanë qenë të karakterit civil, ky vendim është penal. Madje, përmbaruesit zbarkuan pak ditë më parë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, për të ndaluar asamblenë që ishte parashikuar për në 2 mars, e cila me vendim të Gjykatës u pezullua.

Asambleja e FSHF u pezullua nga Gjykata për shkak të hetimeve të nisura për manipulime me zgjedhjet, duke vendosur shtyrjen e tyre deri në hetimin e plotë të çështjes. Gjykata pranoi kërkesën për sigurimin e padisë duke urdhëruar përmbarimin për ekzekutimin e vendimit.

Gjykata urdhëroi pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr. 1, datë 10.01.2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Kundërshtimi i zbatimit të saj, sipas gjykatës përbën vepër penale, duke paralajmëruar drejtuesit e lartë të FSHF-së me ndjekje penale.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet