Kuqezinjtë sot në fushë! Shqipëria në orën 18:00 me Kazakistanin. Më pas Kosova

Kombëtarja shqiptare e futbollit impenjohet sot në mbrëmje në orën 18:00 në një përballje vendimtare për fatet e kualifikimit në raundin tjetër të Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë do të masin forcat me Kazakistanin, skuadër që diferencohet vetëm 1 pikë më pak se e jona në grupin e katërt të ligës 4, hendek që trajneri Reja shpreson do ta zgjerojë më shumë. Shqipëria, e cila është në kërkim të vendit të parë në grup duhet medoemos të fitojë dhe duke e parë formën e kuqezinjve, atëherë gjasat për sukses janë shumë të mëdha.

Ndaj Kazakistanit në “Air Albania” në ndeshjen e parafundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, do të ketë me gjasë disa ndryshime. Veç portës ku aktivizimi i Berishës është i sigurt, Veseli, Gjimshiti dhe Smajli mund të rreshtohen në vijën e parë të mbrojtjes, ndërsa pritet edhe Memushaj nga minuta e parë. Manaj do t’i bashkohet Cikalleshit në repartin ofensiv, me shpresë se mbrojtja kazake do t’i lejojë të bëjnë atë që dinë më mirë, golat që do të sjellin pikët. Në po të njëjtën orë për grupin tonë, Bjellorusia luan me Lituaninë.

Ndërkohë në mbrëmje në 20:45 Kosova luan në një transfertë të vështirë ndaj Sllovenisë. Situata e Dardanëve nuk është aspak e mirë me vetëm 2 pikë, ndërsa vendasit kanë mbajtur portën të paprekur në 4 sfidat e fundit, me mbrojtjen si pikën më të fortë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet