Lojërat Olimpike/ Kosova merr Medaljen e Artë në Xhudo, kundër japonezes Funa Tonaki

Distria Krasniqi nga Kosova kurorëzohet me medaljen e artë në lojërat Olimpike të Tokios 2020. Krasniqi në finalen e sotme u ndesh me japonezen Funa Tonaki. Distria e nisi garën në disiplinën 48 kg, kundër Gabriela Chibana nga Brazili dhe iu deshën vetëm disa minuta për ta mundur lehtësisht kundërshtaren me Ippon. Me Ippon e mposhti për 19 sekonda edhe xhudisten Lin Chen Hao nga Tajpei Kinez. Ajo në gjysmëfinale e mposhti mongolezen Urantsetseg Munkhbat. Ndaj saj fitoi me “Waza-Ari” të cilin e realizoi në mes të luftës. Kjo është medalja e dytë e artë për Kosovën në Lojëra Olimpike, pasi ishte Majlinda Kemlendi që nderoi vendin me të artën në Rio 2016.

Krerët e institucioneve politike reaguan menjëherë pas triumfit të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike që i siguroi Kosovës medaljen e parë në këtë Olimpiadë dhe të dytën në histori të vendit. Presidentja Vjosa Osmani tha se fitorja e Distrias është nder, krenari e lumturi e papërshkrueshme.

“Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës. Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo”, shprehet Osmani e cila gjendet në Tokio.

Kryeministri Albin Kurti shprehet: “DISTRIA E ARTË.Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet