Shpresat/ Trajneri Bushi për shortin e EURO 2023: 'Do provojmë kualifikimin'

Kombëtarja shqiptare U-21 ka njohur ditën e sotme kundërshtarët e saj në eliminatoret e Kampionatit Europian 2023. Shqipëria u shortua në një Grupin G me Anglinë, Kosovën, Slloveninë, Republikën Çeke dhe Andorrën.

Menjëherë pas shortit, në një prononcim për Fshf.org, trajneri i skuadrës kuqezi, Alban Bushi është shprehur se ky grup është një grup i fortë, duke konsideruar avantazh njohjen e tre prej pesë kundërshtarëve.

“Shorti është shumë i fortë, si të gjithë shortet në përgjithësi kur bien, por mendoj që kemi një favor këtë herë, sepse njohim mirë tre nga ekipet, Andorrën, Kosovën dhe Anglinë. Dy ekipet e tjera, Çekinë dhe Slloveninë, pak a shumë dihet futbolli i tyre, futboll i fortë, luftë në ajër. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Kemi lojtarë shumë të mirë, pothuajse 80 % e ekipit janë nga sezoni i kaluar dhe kjo na bën që të ndihemi mirë, të përforcohemi me lojtarë akoma të rinj, siç kanë ardhur nga U-19 dhe nga U-20 dhe mendoj që do bëjmë më të mirën”, – u shpreh Bushi.

Më tej, trajneri i Shpresave foli edhe për objektivin e Shqipërisë në këto eliminatore, teksa theksoi se skuadra do të japë gjithçka për të provuar kualifikimin për në fazën finale. Nëse Shqipëria arrin në vendin e dytë mund të sigurojë pjesëmarrjen në play-off.

“Objektivi ynë është që të bëjmë gjithmonë maksimumin në çdo ndeshje për ta fituar atë, por gjithsesi edhe të furnizojmë ekipin kombëtar A. Por këtë sezon do të futemi siç jemi futur te të gjithë sezonet e mëparshme për të fituar pothuajse çdo ndeshje. Ndeshjen e parë e kemi me Andorrën në qershor. Uroj ta fillojmë atje me këmbë të mbarë dhe çdo gjë të ecë mirë. Kemi një ekip shumë të fortë.

Kemi bërë mirë në eliminatoret e kaluara. Shpresoj që të bëjmë mirë edhe në këto eliminatore. Ne mund të shkojmë shumë lart sepse kemi lojtarë shumë të mirë, por gjithsesi duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje. Kur jemi të mobilizuar 100 %, ne bëjmë gjëra shumë të mira. Unë këtë i kërkoj lojtarëve dhe këtë do t’i kërkoj edhe këtë sezon dhe uroj me shpresën e Zotit, të kualifikohemi”, – tha ndër të tjera trajneri Alban Bushi në prononcimin e tij.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet