Turistë francezë vizitojnë Kanionet e Osumit

Kanionet e Osumit gjatë fundjavës që lamë pas kanë mirëpritur një grup turistësh francezë, të cilët kanë shijuar pamjet e mrekullueshme që ofrojnë këto kanione.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Berat bën të ditur se “Kanionet e Osumit janë jo vetëm objekt i vizitorëve që bëjnë rafting, por edhe për turistët e tjerë. Një grup turistësh francezë vizituar kanionet fundjavën që lamë pas”.

Turistët, pasi përjetuan një eksperiencë të bukur me pamjet spektakolare që ofrojnë këto kanione, shijuan kuzhinën tradicionale vendase dhe mikpritjen e banorëve të zonës.

Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, të shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanioneve të Osumit rreth 13 km të gjatë, nga 4 deri në 35 m të gjerë, 70-80 m të thellë, me shpate vertikale, përfund të cilave rrjedh lumi i Osumit.

Të cilësuara edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grupmoshat.

Në një distance prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si ‘’syri’’, ‘’porta e djallit’’, ‘’krokodili’’ apo ‘’katedralja’’.

Në këto kanione, nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë jo vetëm për të ushtruar në ujërat e tij sportin e bukur të raftin, por edhe për të eksploruar magjinë e natyrës shqiptare.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet